Të tjera detaje mësohen për aksidentin fatal të Gramshit, ku një fuoristradë me 10 persona që transportonte klandestinë ka dalë nga rruga. Për pasojë në këtë aksident kanë mbetur të vdekur dy persona dhe janë plagosur 8 të tjerë. Drejtuesi i mjetit, Mikel Gjeli nga Tirana ka mbetur i plagosur në gjendje të rëndë. Dy viktimat dhe personat e plagosur që ndodheshin në mjetin Mercedes Benz ML janë klandestinë sirianë.
Gazetari i ABC News, Aldo Kozarja raporton se aksidenti ka ndodhur rreth orës 22:00 në aksin Cerrik Gramsh, në fshatin Cekrez. Nga të dhënat paraprake të policisë, makina transportonte refugjatë sirianë.
Mes 8 personave të plagosur, dyshohet se është edhe një fëmijë. Të plagosur janë transportuar në spitalin e Gramshit, për ndihmë mjekësore. Ende nuk dihen shkaqet e aksidentit, por mendohet se makina lëvizte me shpejtësi për shkak të kontrolleve policore.
Njoftimi i policisë për aksidentin:
Në fshatin Çekrez, Gramsh, shtetasi M.Gj., 28 vjeç, banues në Tiranë, duke drejtuar mjetin tip “Fuoristradë”, ka dalë nga rruga dhe për pasojë kanë humbur jetën 2 shtetas dhe janë plagosur 8 shtetas të tjerë.
Të plagosurit janë transportuar në Spitalin e Gramshit dhe ndodhen nën kujdesin e mjekëve.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e shkakut të aksidentit.
/abcnews.al