Një aksident rrugor është regjistruar këtë të enjte në Elbasan, ku një autobus ka humbur kontrollin dhe është përplasur me tabelën e një karburanti, si edhe me një automjet.
Sipas informacioneve paraprake, drejtuesi i autobusit ka humbur drejtimin e mjetit për shkaqe që ende nuk janë bërë të ditura, duke shkaktuar përplasjen. Fatmirësisht, nga ngjarja nuk raportohet për persona të lënduar.
Po ashtu, burime nga vendngjarja bëjnë me dije se nuk ka rrezik për shpërthim apo situatë zjarri, pavarësisht përplasjes pranë karburantit.
Forcat e Policisë kanë mbërritur menjëherë në vendin e ngjarjes dhe kanë nisur veprimet për të dokumentuar aksidentin dhe për të zbardhur rrethanat e plota që çuan në këtë incident.
Hetimet vijojnë, ndërsa pritet një njoftim zyrtar nga autoritetet për shkaqet e aksidentit.



