Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha pati paraditen e së martës një takim me gratë demokrate, pranë RTSH.
Por, jashtë ambienteve ku do të mbahej takimi ishin mbledhur disa gra të LDG dhe të rinj të FRPD-së që e pritën kreun e të djathtëve me pankarta që lexonin “Basha, një humbës serial” apo edhe me thirrjet “Basha ik”. Nuk munguan as vezët të hedhura në drejtim të automjetit të Bashës.
Kjo sjellje për anëtaren e Komisionit të Përkohshëm të Rithemilit Mimoza Hajdarmataj, është normale dhe shërbejnë për t’i dhënë mesazhin “deputetit Basha” se kohët e tij të qeta kanë përfunduar.
E ftuar në “ABC Live” me Sibora Bitrin, Hajdarmataj thotë se bëhet fjalë për reagime spontane ndaj sjelljes kriminale që u bë sipas saj në protestën e 8 janarit.
“I bërë bashkë me Ramën, Basha është një armik më shumë i PD-së. Këto janë reagime spontane ndaj një sjelljeje kriminale, me mercenarët e tij, i mbështetur nga policia. Nxjerrja e deputetëve nga grupi parlamentar ishte kundër ligjit.”
Kurse, analisti Lorenc Vangjeli duke u kthyer tek takimi me gratë tha se të shkosh i shoqëruar nga burra për mbrojtje në këtë lloj takimi është diçka që nuk shkon.
“Të shkosh të takosh gratë e partisë tëndë, i shoqëruar i mbrojtur nga burra, kjo është diçka që nuk shkon. Ajo që shohim ne sot është pasoja e refuzimit për të parë shkakun në sy. Asnjëri nga të dy.”
Vangjeli u shpreh se mes Berishës dhe Bashës ka pasur një marrëveshje që nga maji kur ish-kryeministri u shpall “non grata” nga SHBA deri në momentin që Basha u rizgjodh në krye të PD.
Më pas, ajo që pasoi sipas tij ishte një prishje e marrëveshjes në mënyrë të njëanshme nga Basha.
“Berisha të tregojë prova për një tjetër pakt të bërë nga maji i shpalljes ‘non grata’ deri në zgjedhjen si kryetar i PD. Kanë një marrëveshje jo të ndershme ndaj demokratëve, që është prishur besoj në mënyrë të njëanshme nga Basha. Kjo është pjesa thelbësore e shkakut që të dyja palët refuzojnë ta shohin në sy.”
Kurse për kyrministrin Edi Rama, Vangjeli tha se është duke përdorur një hile duke anashkaluar faktin që kreu i qeverisë nuk e ka komentuar asnjëherë shpalljen “non grata” të ish-kryeministrit.
“Ka një hile që po e përdor kryeministri, duke tentuar të tregojë distancë ndaj palëve por duke mos fshehur gazin për atë që po ndodh në PD, ia kanë marrë qendrën e vëmendjes. Anashkalon që Berisha është non grata. Nuk është shprehur për këtë.” sb/abcnews.al/