Vettingu, PD: Burracakët s’patën as guximin të votojnë kundër, koha e non grata-ve ka mbaruar

schedule22:02 - 10 Shkurt, 2022

schedule 22:02 - 10 Shkurt, 2022

Partia Demokratike bashkoi votat me maxhorancën dhe së bashku miratuan ndryshimet kushtetuese për zgjatjen e mandatit të institucioneve të Vettingut deri më 31 Dhjetor të vitit 2024, kurse grupi i ish-kryeministrit Sali Berisha nuk votoi. Në një reagim zyrtar, PD i quan burracakë Berishën dhe grupin e tij, duke thënë se edhe pse e deklaruan me të madhe se janë kundër zgjatjes së vetingut, nuk patën guximin ta shprehnin me votë.

Non grata të shpallura dhe të pashpallura kanë dështuar të marrin peng PD-në dhe ta kthejnë atë në mburojë të interesave personale. Ata janë në hall e halli sa vjen e bëhet më i madh, prandaj çdo ditë lëshojnë mashtrime ordinere. Ata janë burracakë se nuk patën as guximin të votojnë sot kundër edhe pse e deklaruan me të madhe, por ikën ashtu siç janë munduar të fshihen pas çdo vendimi që i ka kushtuar shumë këtij vendi. Ata janë pengje të korrupsionit të tyre, shantazhojnë njëri-tjetrin, kapen pas njëri-tjetrit me shpresën se mund ta shtyjnë edhe pak. Koha e non grata-ve të shpallura e të pa shpallura ka mbaruar. Korrupsionin e tyre nuk e mbulojnë dot pas akuzave ordinere. Sot çdo shqiptar e ka të qartë: nëse voton Berishën dhe Metën mban Ramën”, thuhet në reagimin e PD.

Nga ana tjetër Komisioni i Rithemelimit, i ngritur nga Sali Berisha nuk i ka kursyer akuzat ndaj Bashës të cilin e quan “peng” të Ramës. Në reagim thuhet se shqiptarët panë sot versionin më të keq të opozitës, referuar këtu votimit të zgjatjes së vetingut nga ana e PD.

Sot më shumë se kurrë shqiptarët dhe demokratët panë se si në shpërfillje të plotë të rregullave për ndryshimet kushtetuese Lulzim Brava votoi sot zgjatjen e vettingut, të cilin ai më parë e quante si “Projektin Mafioz të Reformës në Drejtësi”. Edi Rama nuk i dha asnjë shans pengut Basha përveçse të mbyllte gojën dhe si një qenie pa dinjitet, të ngrinte kartonin për të zgjatur mandatin e familjarëve të ministrave të Partisë Socialiste në organet e vetingut. Ky projekt futi drejtësinë shqiptare në kolaps të rëndë, krijoi një stok prej 115 mijë dosjesh gjyqësore dhe u mohoi shqiptarëve të drejtën themelore për një proces gjyqësor të drejtë, bllokoi procesin e integrimit, shndërroi Shqipërinë në epiqendër të trafiqeve drejt Europës dhe bllokoi investimet e huaja. Sot në parlament shqiptarët dhe demokratët panë versionin më të shëmtuar të një opozite fasadë, të marrë peng nga pushteti, e cila në diktatin e Edi Ramës detyrohet t’i thotë pengmarrësit dajë dhe t’i sigurojë atij votat për kapjen e plotë dhe përfundimtare të sistemit të drejtësisë. Sot të gjithë u bëmë dëshmitarë se paterica e vërtet e Edi Ramës ka emrin dhe fytyrën e pengut të tij Lulzim Brava! Partia Demokratike e bashkuar me aleatët e saj në Shtëpinë e Lirisë u bën thirrje të gjithë shqiptarëve dhe demokratëve që në 6 Mars të bashkohemi jo thjesht dhe vetëm për të zgjedhur kandidatin më të mirë, por për ti dhënë fund narkoshtetit të Edi Ramës dhe opozitës fasadë të regjimit të tij, që ka vetëm logon dhe fytyrën e Lulzim Bashës”, thuhet në reagim e Rithemelimit.

118 votat janë arritur falë votave pro të Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike, ndërkohë që LSI ka abstenuar ndërsa një pjesë e deputetëve mbështetës të Berishës nuk morën pjesë në votim.  Ndryshe nga sa kishte deklaruar më parë, Basha shprehu votën “pro” zgjatjes së afateve të Vettingut që në nisje të seancë, ndërsa e justifikoi këtë me faktin se vota ishte pro integrimit europian. Ndërkohë që ish-Kryeministri Berisha dhe Komisioni i Rithemelimit deklaruan që në nisje të seancës votën kundër, duke akuzuar Lulzim Bashën se është në pazar me kreun e qeverisë. Bashkë me zgjatjen e mandatit të organeve të vettingut parlamenti miratoi dhe ngritjen e dy komisioneve të posaçme për Reformën Zgjedhore dhe atë Territoriale, të konsideruara nga opozita si dy prioritete të një rëndësie kombëtare.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!