Vettingu i noterëve, juristët: Duhen kontrolluar, por bëhet edhe pa struktura të posaçme

schedule15:01 - 5 Nëntor, 2021

schedule 15:01 - 5 Nëntor, 2021

“Shqipëria e Vettingjeve” ka qenë kjo një ndër temat që është diskutuar në “Abc Live” duke u nisur nga fakti se fjala “vetting” është kthyer në “trendin” e ditëve të fundit. Vetting në gjyqësor, vetting në politikë dhe së fundmi vetting edhe për noterët.

Së fundmi ishte ministri i Drejtësisë  Ulsi Manja ai që njoftoi vettingun në sistemin e noterisë.

Në një deklaratë për mediat, pas mbledhjes së qeverisë, Manja tha se ky proces do të kryhet nga Ministria e Drejtësisë.

Për ish-ministrin e Drejtësisë Shefqet Muçi  për vendosjen dhe heqjen e licencave të noterëve ka kritere, nuk bëhet me vetting. Sipas tij, noterët duhen kontrolluar, por kjo mund të bëhet edhe pa struktura të posaçme.

“Ne na pëlqen fjala vetting, ministri nuk tha asgjë tjetër përveç disa shtesave të ligjit aktual të noterisë. Nëse ka licenca të paligjshme, t’i venë para përgjegjësisë, ka drejtori përkatëse që i kontrollon. Ka kritere për vendosjen dhe heqjen e licencës së noterëve, nuk bëhet me vetting. Noteri nuk është vendimmarrës, zbaton vullnetin e të tjerëve, jo të tij. Dokumentin e bën dikush tjetër, t’i bëjmë vetting noterit apo atyre të cilët marrin vendime. Noterët duhen kontrolluar, por mund të bëhet edhe pa struktura të posaçme. Mos gënjejmë veten me vetting politik, ne nuk e ndalojmë dot politikën. Struktura anti-korrupsion, me persona që hetojnë, qeveri pa spiunë nuk ka.”

Kurse, juristi Ledio Braho e cilëson vettingun e noterëve një nismë personale të ministrit Manja.

“Është pak pa sens, është bërë trend fjala vetting. Është e tepërt, të gjithë noterët veprojnë online, qeveria e kontrollon në kohë reale. Vettingu i policisë shërbeu për të pastruar miqtë e ish-drejtorit të policisë, por nuk shërbeu për asgjë tjetër. Kjo mund të ndodhë edhe me vettingun e noterit. Vettingu i politikanëve mund të bëhet nga SPAK, GJKKO dhe Gjykata Kushtetuese. Vettingu i politikanëve nuk zgjat shumë, janë më pak subjekte se ato të gjyqësorit. Çdo ditë shpiken struktura që kanë qëllim të luftojnë korrupsion, por korrupsioni vetëm lulëzon.”

Kjo nismë e ministrisë së Drejtësisë i është dukur si e nevojshme avokatit Sajmir Vishaj, kjo pasi sipas tij, noteria është kthyer në produkt të pastrimit të veprave kriminale.

“Jam dakord me vettingun e noterëve, janë shtuar dhe marrin licenca noterimi kushdo. Noteria është kthyer në produkt të pastrimit të veprave kriminale.” /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!