VETTING/ Pallatit i ndryshohet statusi, banorët: U bë për lekë, por nuk kemi ndërmend të vdesim

schedule20:45 - 24 Nëntor, 2020

schedule 20:45 - 24 Nëntor, 2020

Brenda këtij pallati jetonin një vit më parë 44 familje. Si shumë pallate e banesa në Durrës, ky pallat në lagjen 5, u dëmtua rëndë nga tërmeti. Banorët u tmerruan tek shihnin muret që çaheshin, e orenditë që rrokulliseshin mbi kokat e tyre.

Atë natë na ikën edhe dritat, kisha edhe nipin dhe filloi të qajë, por u mbështollëm me batanije dhe u hymë poshtë krevatit, kërciste soleta, akoma e kam në vesh atë kërcitje. Pushoi tërmeti, dola me pizhama nga frika” tha një banor. Për fat të mirë, të gjithë dolën gjallë nga pallati edhe pse disa me plagë të lehta. “Ishte duke më rënë të fikët” tha një tjetër.

Aty pranë tyre, një tjetër banesë ishte shembur dhe kishte zënë brenda rrënojave shtatë njerëz. Është një ditë, që kurrë nuk do ta harrojnë. “Nuk jam futur në shtëpi, edhe as nuk e kam ndërmend, gjallë jo, edhe i vdekur, atje në kodër po, por jo këtu”.

Ashtu si të tjerë, 44 familjet u sistemuan tek të afërmit dhe më pas në banesa me qera, sepse pallati u klasifikua si i dëmtuar rëndë dhe u klasifikua tek ndërtesat për rindërtim. “Pallati doli pa pilota me një trashësi 80 cm të shtresës së tabanit dhe kaq. Plus ka edhe një shpërdredhje  nga kati i pestë. Tani ne presim të na i zbardhin këto ekspertiza dhe të shohim si do të marrin rruga” tha banori.

Por pak muaj më pas vendimi u ndryshua dhe nga statusi DS5, sipas të cilit pallati shembet dhe ndërtohet një i ri, kaloi në statusin DS 2 i banueshëm dhe dëmet ishin të riparueshme. “U fsheh se është DS5, inxhinierët e bashkisë e ndryshuan se kanë hallin e lekëve. Nga DS5 e bënë DS2. Tani pasi instituti i ndërtimit na dhanë letrat për herë të dytë, edhe avokati bëri ndërhyrje. Tani ka ikur te DS5 veta automatikisht”. “Kjo është sekret nuk e gjej dot, si doli nga i pabanueshëm në DS2, nuk e kam gjetur, por mendohet se bashkia duhet të jetë si bashkëpunëtore e kësaj pune”.

Pas kësaj prokuroria nisi hetimet me nxitjen e banorëve dhe procesi është ende nuk ka përfunduar. “Tani kur mbaroi gjithçka fle hetuesia. Tani prokurorja nuk ecën e lë të qetë, kërkon ofertat, duhet të kishte mbaruar puna” tha Bashkim Xhika.

Ndërkohë në pallat janë kthyer 8 familje dhe po jetojnë aty. Ata refuzojnë të flasin publikisht, por jashtë kamerave na thonë se nuk kanë asnjë zgjidhje tjetër, sepse nuk kanë mundësi të paguajnë banesa me qera. Janë kthyer edhe sepse vendimi i institutit të ndërtimit nuk i lejon  të jetojnë në pallat, pasi nuk iu garantohet jetën. Por, sa i sigurt është ky pallat?

Pallatit i mungon struktura kryesore, që e konsideron atë të sigurt për jetën e banorëve. Një muaj më parë, në derën e pallati është vendosur një letër që i lajmëron banorët të mos hyjnë brenda, por askush nuk di më shumë se kaq. Banorët e tjerë që enden me rrobat në krah nga një banesë në tjetrën askush nuk i sqaron për fatin e shtëpive të tyre, të ndërtuara me mund e djersë. Ata nuk pranojnë të kthehen në banesat e tyre për asnjë arsye. Nuk besojnë tek vendimi i autoriteteve për sigurinë e pallatit.

Nuk kam ndërmend të kthehem, do të gjej ndonjë mënyrë tjetër për të jetuar, nuk kam ndërmend të vdes këtu në pallat. Atë natë luta Zotin, shyqyr që dola gjallë. Por nuk na dëgjon njeri. Ne po presim të zbardhet ekspertiza” tha Sebahudin Rada.

Dhe nuk janë pretendime të kota. Ka ndodhur një vit më parë në Thumanë, kur në tërmetin e 21 shtatorit u dëmtuan pallatet. Pas dëmtimeve serioze, banorët qëndruan dy javë nëpër çadra, derisa autoritetet iu dhanë garanci që të vazhdojnë të jetojnë aty. Dy muaj më pas, tërmeti i 26 nëntorit i shembi pallatet dhe në rrënojat e tyre mbetën 25 banorë.

Ndërkohë banorët e pallatit nr. 8 , në lagjen 5, në Durrës, pretendojnë se në këtë proces rindërtimi, pallate të tjera që kishin një shkallë shumë më të ulët të dëmtimit, janë klasifikuar si DS5 dhe janë shembur për t’u rindërtuar për arsye klienteliste.

Ministrit i rindërtimit Arben Ahmetaj flet me siguri për vendime të marra me kompetencë dhe profesionalizëm nga Instituti i Ndërtimit. Megjithatë, ai rekomandon banorët të ankohen në zyrat përkatëse të posaçme për ankesat, lidhur me dëmet e tërmetit. “Ligji e ka vendosur digën juridike dhe teknike shumë të saktë, pra inxhinierët e njësive vendore ose privat të licencuar dhe në fund është instituti i ndërtimit që jep opinion final dhe instituti bën vlerësimin” tha ai./ db/Abcnews.al