Thirrja dëshpëruese nga rrënojat e tërmetit: O na vrisni ose na jepni zgjidhje

schedule12:27 - 26 Nëntor, 2020

schedule 12:27 - 26 Nëntor, 2020

Një vit më parë, më 26 nëntor, tërmeti me magnitudë 6.4 i shkallës Rihter, tronditi Shqipërinë. Ishte tërmeti më i madhi i regjistruar në vend 30 vitet e fundit, që shkaktoi 51 viktima dhe 913 të plagosur. Mbi 200 mijë njerëz u prekën nga pasojat e tërmetit. Më shumë se 17 mijë njerëz u zhvendosën nga vendbanimet ekzistuese për t’u strehuar në struktura të përkohshme, shumë prej tyre në çadra. Janë rreth 1500 familje, që prej një viti jetojnë ende në çadra.

Sabahe dhe Ali Xhixha kanë një vit që jetojnë në këtë çadër. Aliu është i paralizuar prej 30 vitesh. E motra, Sabahja është e sëmurë nga zemra, me tension dhe diabet. Ajo ka sakrifikuar gjithë jetën që t’i qëndrojë pranë të vëllait, sepse ai ka nevojë të domosdoshme për shërbim të vazhdueshëm. Jetojnë vetëm me pensionin e invalidit, që përfiton Aliu.

Ilaçet më duhen se jam me tension. Lekë duhen, atij ia jep qeveria ilaçe, se ka 4 insulina në ditë, njëra bën 15 mijë lekë. Tani na ka ndihmuar kush ka mundur, shoqatat kanë sjellë, bashkia” tha ajo.

Jeta e tyre ka qenë gjithnjë e vështirë për shkak të varfërisë dhe sëmundjeve, por gjithsesi ia kishin dalë në një farë mënyre dhe vuajtjet ishin kthyer në rutinë. Atë që Sabahja e quante jetë të mire, zgjati deri mëngjesin e 26 nëntorit.

E kisha kokën brenda, paska edhe më keq. Mira isha”. Ata ishin brenda shtëpisë së vjetër në momentin kur ra tërmeti dhe ndërkohë që muret po kërcisnin dhe trarët po binin u përpoqën të dilnin jashtë rrënojave. Sekondat e kishin ndarë jetën nga vdekja mëngjesin e 26 nëntorit.

Qëndruan vetëm në oborrin e shtëpisë deri në mëngjes, më pas i strehoi një familje rreth dy javë, deri sa bashkia iu solli një çadër. Dhe në këtë çadër, kanë një vit që jetojnë. “Jetojmë në çadër me shpresë. Një dimër e kaluam këtu në çadër, është duke ardhur edhe një tjetër, edhe një tjetër, edhe një tjetër, edhe një tjetër. Mua më shohin si femër edhe thonë hajd përcille” tha ajo.

Gjatë këtij viti, Ali Xhixha dhe e motra kanë marrë ndihma nga Kryqi i kuq dhe organizata të ndryshme. Kanë marrë ndihma edhe nga njësia administrative. Por ata kërkojnë shtëpi. Me sa na thotë zonja, kanë disa mosmarrëveshje me të afërmit tyre përsa i përket rrugës ku duhet të kalojnë makineritë për të ndërtuar shtëpinë.

Megjithë konfliktet që mund të kenë, do të duhej që autoritet drejtues të gjenin një zgjidhje për dy persona që janë të pamundur edhe për të kërkuar të drejtën për hallin e tyre. Pavarësisht kush është fajtor e kush përfiton, e vërteta është se këta dy njerëz janë lënë të braktisur në fatin e tyre.

Ata duan veç të largohen nga kjo çadër e këto kushte. Lutja e Sabahes për kryeministrin është me të vërtetë dëshpëruese. “Kryeministrit i them, o na mysni e mos ekzistojmë më ose na jepni një rrugë zgjidhje si gjithë të tjerët”.

Do të merrem drejtpërsëdrejti me kryetarin e bashkisë, do të dërgoj edhe njerëz nga stafi im dhe të jeni e bindur, shtëpia e tyre do të rindërtohet, Ali Xhixha, Sabahe Xhixha” ishte premtimi i ministrit, Ahmetaj.

Mijëra familje si kjo në Durrës, Thumanë, Fushë-Krujë, Ishëm Laç, Milot, Shijak e gjetkë, vuajnë hallet e ngjashme dhe presin dita ditës të hyjnë brenda katër mureve, që gjithçka e premtuar të mos ketë lidhje as me fushatat politike, as me burokracitë e aferat korruptive, por thjesht të ndihmohen si njerëz në nevojë që i kanë varur shpresat tek humanizmi i pjesës tjetër./ db/Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!