VETTING-“Demokracia” që na vjen prej diktaturës

schedule20:12 - 15 Qershor, 2021

schedule 20:12 - 15 Qershor, 2021

Emisioni VETTING

Partia Socialiste dhe Partia demokratike e kanë qeverisur vendin 30 vitet e fundit. Zhvillimet politike brenda këtyre partive kanë qenë përcaktuese të nivelit të demokracisë në Shqipëri. Në historinë e këtyre tri dekadave do të shohim trashëgiminë nga e shkuara komuniste dhe përpjekjet e dështuara për votën e  lirë brenda dy partive. Se si ka avancuar demokracia e brendshme në këto dy parti do ta shohim përmes analizës së proceseve zgjedhore në kongreset e PS-së dhe kuvendet kombëtare të PD-së.

……………………………………………….

Këtë 12 qershor, Partia socialiste festoi me madhështi 30-vjetorin e themelimit. Partia Demokratike i mbushi në 11 dhjetor 30 vjet por nuk pati festë për shkak të pandemisë. Ndoshta ishte menduar të festohej bashkë me fitoren që prisnin demokratët më 25 prill. Por PD i humbi zgjedhjet. Këtë 13 qershor demokratët votuan për të rikonfirmuar në detyrë kryetarin e tyre Lulzim Basha, pas dy humbjesh radhazi në zgjedhje parlamentare.

Partia Socialiste dhe Partia demokratike e kanë qeverisur vendin 30 vitet e fundit. Zhvillimet politike brenda këtyre partive kanë qenë përcaktuese të nivelit të demokracisë në Shqipëri.

Pas rënies së diktaturës komunistë në dhjetor 1990, gjenerata të reja  intelektualësh të formuar nën diktaturë u ndanë në dy partitë politike për të drejtuar Shqipërinë në përpjekjen për demokraci.

Fill pas shpalljes së pluralizmit, u themelua Partia demokratike nga disa intelektualë, shumica e të cilëve vinin nga radhët e Partisë së Punës së Shqipërisë apo nga zyrat e larta drejtuese të diktaturës. Intelektualë, mjekë, jurist, ekonomistë, artistë iu bashkuan partisë së parë opozitare.

Kur sapo ishte themeluar PD si partia e parë opozitare, në krahun përballë ishte Partia e Punës së Shqipërisë e drejtuar nga Ramiz Alia dhe nomenklatura komuniste. Në vitin 1991, Ramiz Alia afroi rreth vetes disa intelektualë të rinj të asaj partie, si Fatos Nano, Ylli Bufi, Kastriot Islami, Rexhep Meidani, Namik Dokle, Musa Ulqini etj.

Prania e anëtarëve të PPSH në krahun e majtë ishte krejt e natyrshme sepse PS do të vinte si një vazhdimësi  e PPSH-së. Pati një përpjekje në Partinë Demokratike për të sanksionuar në statut përjashtimin e anëtarëve të Partisë së Punës nga kandidimi për postet drejtuese. Por ky propozim u rrëzua menjëherë.

Organizimi i ri i këtyre partive nuk do të mund të shmangte stilin e vjetër të drejtimit si përvojë e partisë shtet. Sepse drejtuesit e Partisë Socialiste dhe asaj demokratike vinin pikërisht nga radhët e Partisë së Punës që e kishte qeverisur Shqipërinë 45 vite në diktaturë. Udhëheqësi i fundit komunist Ramiz Alia ishte pjesë e rëndësishme e të gjitha zhvillimeve politike. Ai shfaqej herë si aleat e herë si kundërshtar ndaj rrymave të reja politike që po lindnin në atë kalim të butë të pushtetit nga etërit e plakur të diktaturës tek bijtë reformatorë.

Sot duket kohë e largët por Edi Rama ka qenë për pak orë pjesë e Partisë demokratike.  E veshi dikur një pardesy të bardhë, petku që i bashkonte si në një uniformë themeluesit e Partisë Demokratike.

“Atë ditë, kur hyra në PD, ose më saktë kur shkova në PD, e cila sapo ishte krijuar, u largova menjëherë, se Partia Socialiste pata një konflikt me ata që gjeta aty, pra në PD. Për ne Ramiz Alia ishte kundërshtari. Ramiz Alia nuk ishte njeriu, që po sillte demokracinë në Shqipëri, por ishte thjesht regjimi komunist në Shqipëri”. Koha do të tregonte se nuk kishte qenë kjo arsyeja sepse brenda pak vitesh do të strehohej pikërisht në partinë e Ramiz Alisë.

Edi Rama do të largohej nga PD javët e para, bashkë me shumë të tjerë që nuk e gjetën veten në skutat e pushtetit që po projektohej. Do të sjellim në kujtesë kongreset e Partisë Socialiste dhe kuvendet kombëtare të PD, për të kuptuar se sa ka funksionuar demokracia e brendshme në këto dy parti.

Pas themelimit më 11 dhjetor 1990, Partia demokratike drejtohej nga Azem Hajdari i cili do të shkarkohej më 11 shkurt 1991 për sjellje jo korrekte. “Disa veprime të pakontrolluara, individuale e personale të cilat po dëmtonin reputacionin e PD”, citonte sekretari organizativ i PD-në Arben Demeti, në mediat e kohës. Po atë natë u zgjodh drejtues i PD-së Aleksandër Meksi, me votat e komisionit nismëtar. Partia drejtohej asokohe me kolegjialitet.

Meksi qëndroi vetëm 24 orë në detyrë pasi Aktivi kombëtar i Parisë Demokratike më 13-14 shkurt 1991 zgjodhi në krye të komisionit nismëtar Sali Berishën. Ai fitoi me 9 vota përkundrejt Aleksandër Meksit me 5 vota, Gramoz Pashkos me katër vota dhe Azem Hajdarit me një votë. Në krye të komisionit nismëtar, Berisha  do të drejtonte PD-në drejt zgjedhjeve të para pluraliste të 31 marsit. PD kandidonte përballë partisë Socialiste së drejtuar  nga Ramiz Alia.

Ramiz Alia e humbi garën e tij në një prej zonave të kryeqytetit por partia që drejtonte, i fitoi zgjedhjet në rang kombëtar ndërsa PD fitoi qytetet kryesore të Shqipërisë. Humbja e Ramiz Alisë, ishte një sinjal shumë i rëndësishëm që partia socialiste nuk mund të ishte një parti e pranuar më nga shqiptarët. Ndaj dhe duhej bërë lëvizja e radhës.  Kongresi i dhjetë i partisë socialiste që do të ndryshonte lidershipin dhe emrin e partisë. Alia do t’ia kalonte stafetën Fatos Nanos.

Delegatët komunistë të kongresit të dhjetë të PS, që kishin brohoritur udhëheqësin Enver Hoxha dhe pasardhësin e tij Ramiz Alia, do të brohorisnin me të njëjtin pasion edhe udhëheqësin e ri Fatos Nano.

Në shtator 1991 do të zhvillohej Kuvendi i parë kombëtar i demokratëve. Në kuvend u  zgjodh me votim të fshehtë kryetari i partisë, Sali Berisha i cili mori 449 vota, në garë me Neritan Cekën i cili mori  93 vota  dhe Azem Hajdari që mori shtatë vota. Do të mbetet i vetmi moment në historinë e kësaj partie kur pati garë reale. Pas fitores më 22 mars 1992, PD dhe nisi të qeverisë Shqipërinë.

Sali Berisha u zgjodh president, Aleksandër Meksi kryeministër dhe në qeveri u përfshinë pak prej themeluesve demokratë. Berisha u largua formalisht nga posti i kryetarit dhe vendin e  tij e zuri Eduard Selami. Më 16 Prill 1992, në Konferencën Kombëtare e PD, Selami mori 411 vota nga 485 gjithsej, ndërsa Azem Hajdari dhe Arben Imami, të dy kandidatë për kryetarë, u zgjodhën nënkryetarë të Partisë.

Pak muaj më pas, nisi të evidentohet qartësisht lufta për pushtet. Do të shfaqeshin hapur betejat e brendshme të demokratëve në konferencën e jashtëzakonshme të 13 gushtit 1992. Gramoz Pashko, Arben Imami, Neritan Ceka, Arben Demeti, Preç Zogaj e disa të tjerë themelues të PD-së kishin hartuar një mocion drejtuar udhëheqjes për gjithçka që po kryhej në kundërshtim me parimet mbi të cilat ishte themeluar PD.

Ngjashëm me pleniumet e komunistëve kur shpikeshin grupe armiqësore, në konferencën e jashtëzakonshme u përjashtuan dhunshëm shumë prej themeluesve të PD-së. Nën britmat e sallës së ekzaltuar, Gramoz Pashko nuk e përfundoi dot fjalimin e tij…Konferenca e jashtëzakonshme, ndau përfundimisht Partinë Demokratike në dy pjesë. Prej saj lindi partia e parë Aleanca Demokratike.

Kur Gramoz Pashko po përjashtohej nga PD pati lajmëruar ata që duartrokisnin se do të kishin të njëjtin fat. E njëjta shfaqje do të përsëritej shpejt në PD. Kur konferenca e jashtëzakonshme e PD-së në vitin 1995 do të përjashtonte po kaq dhunshëm kryetarin Eduard Selami.

Kuvendi i Tretë  zgjedhor i Partisë Demokratike  zgjodhi kryetar të PD-së Tritan Shehun pas një gare formale me Sekretarin e Marrëdhënieve me Publikun Ferdinand Xhaferri. Tritan Shehu ishte i mbështetur nga Berisha ndërsa Xhaferri kandidoi vetëm për ti dhënë vlerë garës.

Ndërkohë që në PD po instalohej autoritarizmi, PS kishte nisur reformimin për tu kthyer brenda pak vitesh në partinë me lëvizjet më dinamike që do të shiheshin si zhvillime demokratike me rëndësi.

Të kompleksuar nga e shkuara e tyre e lidhur me partinë shtet, socialistë nisën një reformim të rëndësishëm në organizimin e brendshëm. Procesi shoqërohet me debate të forta ndërmjet drejtuesve.

I tillë është edhe debate në vitin 1996, kur fatos Nano kishte dërguar një mocion nga burgu, ku po vuante dënimin i akuzuar nga Berisha për abuzime me ndihmat humanitare në vitin 1991.  Mocioni për debat i Nanos lidhej me reformimin e partisë. Mocioni e ndau PS në në dy pjesë, pro dhe kundër tij. Në atë kohë nisi të shfaqej dukshëm krijimi I grupeve në PS. Përballë Nanos ishte grupi i Ilir Metës.

Pas shumë debatesh,  kongresi i dytë rikonfirmoi Fatos Nanon në krye të partisë dhe në forumet drejtuese u përfshinë edhe kundërshtarë të tij. Zhvillimet Brenda PS po perceptoheshin si demokraci e brendshme, ku pavarësisht mendimit ndryshe nuk përjashtohej askush.

Në qershor të vitit 1997, Partia socialiste fitoi zgjedhjet ndërsa Berisha kishte lënë presidencën dhe ishte kthyer në PD që ishte tashmë në opozitë. I duhej një garë formale për tu rikonfirmuar në krye të partisë. Më 20-21 tetor 1997 u mbajt Kuvendi i Katërt  zgjedhor i Partisë Demokratike, Berisha u konfirmua kryetar I PD-së pas një gare formale me rivalin e tij Pjetër Arbnori. Vetë Arbnori e pohoi disa ditë pas kuvendit se nuk kishte asnjë ambicie për kryetar të PD-së por shpalli kandidimin për ti dhënë vlerë garës.

Gjatë kësaj kohe Partia socialiste ishte përfshirë në debate të brendshme që për shumicën quhej demokraci e për të tjerë luftë për pushtet. Debati mes drejtuesve të saj në dhjetë vitet e para e dominoi ligjërimin politik.

Më 9 tetor 1999, do të zhvillohej kongresi I tretë zgjedhor i partisë Socialiste. Kur nisi fushata zgjedhore, Fatos Nano nuk ishte kryeministër.  Përballë tij shpalli kandidaturën për kryetar të PS-së, Pandeli Majko, i cili mbante edhe postin e kryeministrit të qeverisë socialiste.  Në krah të Majkos ishte edhe Ilir Meta bashkë me mbështetësit e tij, një grup kundërshtar me Nanon.Pavarësisht epërsisë që i jepte posti i kryeministrit, Pandeli Majko e humbi garën. Në seancën e zgjedhjeve të kongresit Fatos Nano u rizgjodh kryetar me 297 vota përkundrejt kandidaturës së Majkos me 261 vota. Diferenca e vogël e votave dëshmoi për një proces të vërtetë zgjedhor. Do të mbetej I vetmi moment I vërtetë zgjedhjesh në këtë parti. Ngjashëm me kongresin e demokratëve në vitin 1991.

Në krahun tjetër po zhvilloheshin zgjedhjet për kryetarin e PD-së. Nënkryetari i kësaj partie Genc Pollo, deklaroi se do të ishte rival I Berishës. Beteja do ti dukej e vështirë qysh në fillim.

Afër ditës së zgjedhjeve, Pollo u tërhoq me pretendimin  “për mos përmbushje të kushteve të gares. Berisha mbeti kandidatura e vetme dhe për të legjitimuar garën, u fut në lojë Uran Butka.

Më 15-16 dhjetor 2001 u zhvillua Kuvendi i Shtatë zgjedhor i Partisë Demokratike. Sali Berisha u sfidua nga ish- kryeministri Aleksander Meksi. Por pas pak ditësh nga nisja e fushatës, kandidati Meksi deklaroi tërheqjen nga kandidimi me pretendimin se “nuk i kishin krijuar lehtësi procedurale për zhvillimin e fushatës.”

“Unë jam Fatos Nano dhe mbrapa më vjen historia”, është shprehja që ka mbetur në mendjen e socialistëve në fjalimin kongresit të katërt socialist. PS ishte drejt ndarjes përfundimtare pasi betejat mes grupit të Nanos dhe atij të Metës kishin avancuar. Në këtë klime aspak të qetë, po zhvillohej kongresi zgjedhor ku përballë Nanos në garën për kryetar u shpallën edhe ish-presidenti Rexhep Meidani dhe kryetari socialist i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama.

Fatos Nano u rizgjodh kryetar i PS-së me 456 vota. Sfidantët e rinj Rama e Meidani morën përkatësisht nga 41 dhe 61 vota. Humbësit shprehën në publik dyshimet e tyre për manipulim të procesit. Ky kongres shënon edhe fundin e lojës së socialistëve me demokracinë e brendshme. Fatos Nanos i kishte humbur mesa duket durimi për të vazhduar lojën e demokracisë brenda partisë.

Më 23-24 prill 2005  do të mbahej Kuvendi i Tetë i Partisë Demokratike kur Berisha u rizgjodh kryetar pa konkurrentë, pasi PD mendonte se do të ishte vetëm një formalitet i panevojshëm  vendosja e çdo figure tjetër përballë liderit historik të kësaj partie.PD i fitoi zgjedhjet e 3 korrikut 2005 dhe për tetë vite në pushtet nuk pati zhvillime shumë të rëndësishme Brenda saj. Zhvillimet do të përqendroheshin në kampin tjetër, tek socialistët. Pas humbjes në zgjedhjet e 3 korrikut Fatos Nano dha dorëheqje nga posti i kryetarit të PS.

Më 9 tetor 2005, u zhvillua kongresi zgjedhor i socialistëve ku kandidonte Edi Rama përballë ish-presidenti Rexhep Meidani. Rama e humbi betejën qysh ditën e  parë të kongresit, pasi rreth 600 delegatët e kongresit socialist e rrëzuan platformën e tij. Por sic thotë Rama, hija e Gramoz Ruçit pas tij, do ta shpëtonte pasi Ruçi i dha emrin e tij platformës dhe Rama u rikonfirmua në garë të cilën e fitoi ditën tjetër nën kujdesin e  Gramoz Ruçit. Rama mori 297 vota, ndërsa Rexhep Meidanit 151 vota.

Legalizimi i fraksioneve në PS ishte pika e pandryshueshme e të gjitha propozimeve të Ramës në PS por pas zgjedhjes në krye të partisë, Rama e zhduku nga statuti pikën për legalizimin e fraksioneve.

Sipas parimit “një anëtar, një votë”, Edi Rama u rizgjodh në krye të partisë më 12 maj 2007. Përballë pati kandidatin formal Shkëlqim Meta. Një grup zyrtarësh të kësaj partie kontestuan procesin duke e cilësuar të parregullt. Megjithatë Edi Rama u zgjodh kryetar me 97% të votave. PS me koalicionin e saj i humbi zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit 2009 dhe mbeti në opozitë. Rama u përball me presionin e kundërshtarëve të tij në parti, për të dhënë dorëheqje pasi kishte humbur zgjedhjet. Pavarësisht presioneve nga kundërshtarët, Edi Rama shpalli rikandidimin. Arben Malaj dhe Maqo Lakrori ishin sfidantët e tij në këtë garë. Arben Malaj deklaroi tërheqjen nga gara, pak orë pasi e shpalli kandidimin, duke pretenduar se procesi ishte cenuar qysh në nisje. Ndërsa Blushi deklaroi arsyet pse nuk hyri në këtë garë. Rama e Lakrori zhvilluan bashkë fushatën elektorale brenda partisë dhe në fund të garës Edi Rama u rizgjodh kryetar me 93% të votave, përkundrejt 6,5% që fitoi rivali i tij Maqo Lakrori.

Më 23 qershor 2013 Partia Socialiste i fitoi zgjedhjet parlamentare. Zhvillimet do të transferoheshin në kampin tjetër ku për shkak të humbjes, Sali erisha kishte dhënë dorëheqje.

Kështu nisi gara për kryetarin e PD-së. Lulzim Basha dhe Sokol Olldashi u shpallën kandidatë dhe anëtarët e PD-së votuan sipas parimit” një anëtar një votë”. Në fund të procesit, Lulzim Basha u shpall fitues me 33 220 votues, ose 80.39% të votave, përkundrejt Sokol Olldashit me 8060 votues, ose 19.61% të votave. Olldashi deklaroi parregullsitë e procesit.

Në mars të vitit 2016 u mblodh kongresi i socialistëve. Do të duhej të ishte proces votimi për zgjedhjen e kryetarit të partisë por Rama propozoi vetëm votëbesim, duke argumentuar se partia që drejton kishte fituar zgjedhjet.

Kundërshtari i tij në parti, Ben Blushi i mbështetur nga pak deputetë socialistë kërkoi zgjedhje për kryetarin e partisë duke akuzuar ashpër Edi Ramën për uzurpim të partisë.

Ashtu sic donte kryetari, nuk pati një proces zgjedhor ndërsa Ben Blushi deklaroi largimin  nga kjo parti për të krijuar lëvizjen “LIBRA”.

Lulzim Basha udhëhoqi Partinë Demokratike në opozitë një proces të quajtur reformimi. Gjatë katër viteve ai largoi nga strukturat drejtuese të partisë, shumicën e anëtarëve të forumeve më të larta drejtuese. La jashtë listës së kandidatëve për deputet në zgjedhjet parlamentare të vitit 2017 ish-drejtues si Arben Imami, Jozefina Topalli, Astrit Patozi, Ridvan Bode, Genc Ruli, Majlinda Bregu e të tjerë. Ata e akuzuan Bashën për uzurpim të partisë.

PD i humbi zgjedhjet dhe menjëherë pas procesit, Lulzim Basha e refuzoi dorëheqjen dhe shpalli “ngrirjen” si kryetar i partisë bashkë me fushatën për zgjedhjet e reja.

Në garë përballë Bashës hyri, ish-kryetari  demokrat Eduard Selami. Në fund të procesit, Basha fitoi 53931 të votave përkundrejt sfidantit të tij Eduard Selami që mori 5136 vota.

Në fund të katër viteve të tjera në opozitë, mbushur me skandale të qeverisë së rilindjes, pritej që Basha të udhëhiqte PD-në drejt fitores. Por në fakt më 26 prill të këtij viti, PD u rikonfirmua në opozitë dhe pritej që Basha kësaj here të jepte dorëheqje. Por nuk ndodhi. Basha doli para mediave dhe deklaroi se mazhoranca kishte blerë votat.

Pa pritur korrikun, kohën kur zhvillohen zgjedhjet në PD, Basha shpalli fushatën dhe konfirmoi rikandidimin. Përballë tij dolën tre sfidantë, Edit Harxhi, Fatbardh Kadilli dhe Agron Shehaj.

Nuk pati surpriza. Lulzim Basha u rikonfirmua në krye të PD-së me 81% të votave të anëtarësisë së PD. sfidanti i tij në këtë garë Agron Shehaj mori 15% të votave, pjesa e mbetur i përket dy kandidatëve të tjerë Fatbardh Kadilli dhe Edit Harxhi.

U quajt një garë e pabarabartë. Kandidatët deklaruan parregullsi në procesin zgjedhor, si në zgjedhjet e vitit 2013 dhe të vitit 2017.

Në partinë socialiste dhe partinë demokratike nuk është më asnjë themelues. nuk janë larguar për shkak të moshës por janë përjashtuar për shkak të mungesës së demokracisë.

E tillë është historia e demokracisë brenda partive që na qeverisin në 30 vjet. Nëse këto parti nuk kanë mundur kurrë të bëjnë garë reale brenda tyre, është kaq e pamundur të kërkojmë prej tyre që të zhvillojnë procese zgjedhore demokratike. d.b/Abcnews.al