Situata për hapjen e negociatave për Shqipërinë brenda këtij viti duket e zymtë, pasi duket shumë vështirë që Bullgaria të heqë veton për Maqedoninë për të zhbllokuar kështu edhe Shqipërinë, pasi dy vendet janë projektuar që rrugëtimin drejt BE-së ta kenë në paketë dhe jo të ndara.
“Pres, e them me keqardhje, që Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut duhet të ndahen për këtë paketë të përbashkët negociuese” u shpreh eksperti bullgar Spas Tashev në një intervistë për mediat në Sofje, kur duhen edhe më pak se 10 ditë nga data e samitit të fundit të BE-së për këtë vit.
Ai sqaroi se nëse hapet rruga për Tiranën me një qasje të tillë, atëherë “do të shohim nëse vende si Franca, Holanda dhe Danimarka do të riafirmojnë realisht qëndrimin e tyre se Tirana mund të nisë negociatat për integrimin europian”.
“Për ta nxjerrë Shkupin nga kjo paketë, fajin kryesor e kanë vetë pushtetarët e Shkupit. Ata vënë bast jo vetëm për gjuhën e urrejtjes dhe gënjeshtrat, por edhe për blerjen”, shtoi eksperti.
Ai kujtoi se një nga deputetët gjermanë, i cili ishte nga shumica qeverisëse, dha dorëheqjen për shkak se akuzohej se merrte fonde nga Republika e Maqedonisë së Veriut për t’u shërbyer interesave të tyre.
“Në dy muajt e fundit qeveria në Shkup ka ndarë 30 milionë euro vetëm për lobim në Bashkimin Evropian dhe në SHBA”, shtoi Spas Tashev. SHBA, Gjermania, por edhe vende të tjera i kanë kërkuar Sofjes që të tërhiqet dhe të hapë rrugën për Shkupin dhe rrjedhimisht edhe për Tiranën, por Presidenti i sapo zgjedhur Radev e ka hedhur poshtë kategorikisht një gjë të tillë.
Lexo edhe: Escobar bën premtime në Shkup për negociatat, shpreson edhe Shqipëria
Pak ditë më parë edhe Presidenti Ilir Meta kërkoi që Shqipëria të ndahej nga Shkupi, por kryetarja e komisionit të Jashtëm Mimi Kodheli u shpreh se Tirana zyrtare, pra qeveria nuk do ta kërkonte këtë skenar./ db/ Abcnews.al