Një pikë e paktit, mes PS e PD për të regjistruar në Kodin Zgjedhor, ishte shtyrje për çdo zgjedhje e afatit të skadencave të kartave ID. Qeveria beri te sajën duke shtyrë me 4 muaj skadencën për rreth 500 mijë qytetarë votues në Shqipëri më 11 maj.
Por pala tjetër, Partia Demokratike, i ka shtuar paktit te dakordësuar, një kusht të ri.
Një ditë pasi Ilirian Celibashi konfirmoi pamundësinë e realizimit të votës së emigrantëve me dokumente të huaja, Sali Berisha ka kërcënuar se nuk do të votojë asnjë ndryshim në Kodin Zgjedhor pa u realizuar kjo kërkesë e tij.
Veto e Berishës për pagesën nga ana e shtetit e dërgimit me postë në vajtje dhe ardhje të fletës së votimit, do të bllokonte fondin prej 5 milionë euro akorduar KQZ-së, për të kryer këtë proces, që emigrantët të mos paguajnë asnjë cent. Për më tepër do të dekurajonte një pjesë të tyre për të votuar, pasi do t’i detyronte emigrantët të paguajnë vetë për postën. Sipas përllogaritjes së fundit të KQZ, një votë në Diasporë do të kushtonte nga 10 deri në 40 euro, por dhe më shumë. Për një familje kjo kosto do të 3 apo 4-fishohej.
Partisë Socialiste i duhen 84 vota për të realizuar këto ndryshime në Kuvend. 75 deputetëve të saj, duke i shtuar 3 të PSD dhe 3 të PDIU, u duhen edhe tre vota te tjera. Dhe votat janë edhe pa Partinë Demokratike të Sali Berishës. Alibeaj, Shehi, Shehaj janë vetëm tre prej tyre që do të votonin në sekondë çdo amendament pro votës së emigrantëve. Pyetja është nëse socialistët do të shkojnë të kërkojnë vota të tjera, apo do trokasin sërish në derën e doktorit? Nëse ndodh kjo e fundit, vota e emigranteve do merrte një goditje jo të vogël. Pasi emigrantëve përveç remitancave për familjet e tyre, do t’u duhet të paguajnë edhe për votën e zgjedhjeve të 11 majit.
/ abcnews.al


