Merr kthesë ngjarja në Durrës/ Arrestohet bashkëshorti i 41 vjeçares së vetëvrarë, e kërcënoi se do ta vriste

schedule11:06 - 6 Janar, 2024

schedule 11:06 - 6 Janar, 2024

Ka marrë një tjetër kthesë ngjarja e ndodhur në Durrës, ku 41 vjeçarja Bedrie Loka i dha fund jetës duke pirë fotoksinë. Shkak për këtë akt ekstrem dyshohet të jetë një faqe denigruese e hapur në “TikTok”. 41 vjeçarja ishte punonjëse në një kompani fasonerie në Fllakë, ku dyshohet se ishte bullizuar nga kolegët.

Këtë të shtunë është vënë në pranga bashkëshorti i saj, Xhemal Loka. Sipas policisë, nga hetimet e thelluara, ka rezultuar se 45-vjeçari ka dhunuar psikologjikisht në mënyrë të vazhdueshme bashkëshorten e tij. Pasi ishte kthyer nga Greqia, ai e kishte kërcënuar në sy të njërit prej fëmijëve se do ta vriste me thikë.

Për këtë rast, 41 vjeçarja nuk kishte bërë kallëzim në polici. Gjatë kontrollit në banesë, 45 vjeçarit i janë gjetur 1 armë zjarri automatik tip “Sharrs”, një krehër dhe një sasi municioni luftarak. Policia ka sekuestruar gjithashtu edhe celularin e tij, të cilin e kishte fshehur duke mos bashkëpunuar me policinë.

Ky celular, bashkë me celularin e së ndjerës, janë dërguar për ekspertimin me qëllim gjetjen e provave për dokumentimin e rrethanave dhe shkakut të ngjarjes. Në vijim të veprimeve të thelluara janë kryer një sërë veprimesh të tjera me qëllim dokumentimin e plotë të shkakut që detyroi 41 vjeçaren drejt vetëvrasjes.

Gjithashtu po kryhen hetimet për të identifikuar dhe vënë përpara përgjegjësisë ligjore autorin/en e keqpërdorimit të të dhënave të 41 vjeçares në rrjetin social “Tik Tok”./abcnews.al