Vetëvendosje nxjerr videon nga Gjirokastra: Veprimi i numëruesit dhe personi që telefonoi

schedule19:04 - 24 Maj, 2021

schedule 19:04 - 24 Maj, 2021

Lëvizja Vetëvendosje në Shqipëri vijon që të akuzojë për krim elektoral në zgjedhjet e 25 prillit, ndërsa ka postuar në Facebook një tjetër video, që e cilëson si provë të asaj që ka ndodhur kundër kandidatit të tyre në qarkun e Gjirokastrës.

Sipas Vetëvendosjes në Tiranë, video tregon qartë një numërues që vendos shenja në fletët e votimit gjatë procesit të numërimit dhe më pas, po sipas deklaratës kontakton në telefon me një numër ku është i shënuar emri i Ministrit të Brendshëm, Blendi Çuçi.

“Tjetër provë e re filmike e krimit elektoral. Në qytetin e Gjirokastrës, të hënën e datës 26 prill 2021, në KZAZ me numër 80, herët në mëngjes në ora 5:09, është kryer një tjetër krim elektoral i evidentuar nga ekipi i aktivistëve të Lëvizjes VETËVENDOSJE! përmes pamjeve zyrtare filmike të KQZ-së.

Në këto pamje dallohet qartë konsumimi i veprës penale nga një numërues që vendos shenja në fletët e votimit gjatë procesit të numërimit, me miratimin e dhënë në heshtje nga numëruesit e tjerë, që duket se janë në bashkëpunim me të.

Pas konsumimit të veprës penale, numëruesi kontakton me një numër telefoni ku është i shënuar emri i Ministrit të Brendshëm, Blendi Çuçi, që ishte edhe kandidat i Partisë Socialiste në Qarkun Gjirokastër.

Ju kujtojmë se deri me sot nuk kemi asnjë informim zyrtar për nisjen e hetimeve nga organet e drejtësisë për këto raste flagrante të veprave penale. Ju ftojmë të ndiqni pamjet e plota filmike në vijim” mbyllet postimi./ db/Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!