Vetëvendosje kërkon “kokën” e Veliut, Thano: Deri në zgjedhje PD s’e kërkon largimin e Ramës

schedule23:30 - 10 Dhjetor, 2020

schedule 23:30 - 10 Dhjetor, 2020

Lëvizja Vetëvendosje në Shqipëri kërkoi mbrëmjen e sotme nga prokuroria arrestimin e drejtorit të policisë së shtetit Ardi Veliu pas vrasjes së të riut Klodian Rasha dhe episodeve të dhunës në protesta. “Tre ditë pas vrasjes së 25 vjeçarit Klodian Rasha, rasti vazhdon të mbetet i pazbardhur.

Dorëheqja e sotme e ministrit Sandër Lleshaj, pas protestave të shumta, nuk mjafton. Për publikun e gjerë është bërë e qartë se Policia e Shtetit, me deklaratat e saj kundërthënëse, ka tentuar ta mbulojë krimin dhe të manipulojë opinionin publik. Këto akte përbëjnë krim institucional të Policisë. I dyshuari kryesor për këtë krim institucional është kryepolici Ardi Veliu.

Në këtë ditë, në vend që të arrestohen të rinjtë që dolën në protestë në kundërshtim të padrejtësisë së thellë që është rrënjosur në Shqipëri, Policia e Shtetit do të duhej të arrestonte kryepolicin Ardi Veliu. Kërkojmë nga Prokuroria të lëshojë menjëherë urdhë-rarrestin për këtë zyrtar të kriminalizuar që drejton Policinë e Shtetit” thuhet ndër të tjera në deklaratë.

Por cfarë mendon gazetari Ardian Thano? I ftuar në panelin e emisionit “As pro, as Kundër” në “ABC” ai tha se “Mendoni se ka përgjegjësi penale? Patjetër po. Do të ishte shumë më kuptimplotë që dorëheqja të jepej nga radhët e policisë sesa politike, nuk është se ka ndonjë kosto të madhe” tha ai.

Gazetari Ardian Thano u shpreh se ka një dakordësi mes Ramës dhe Bashës që deri në zgjedhje nuk do të kërkohet dorëheqja e kryeministrit. “Më ka bërë shumë përshtypje parullat e pjesës politike të protestës, ndryshe shumë nga të tjerat kërkuan dorëheqjen e vetëm ministrit të Brendshëm, ç’ne nuk kërkuan zyrtarisht dorëheqjen e Ramës? 

Se kjo tradhton një dakordësi politike që deri në zgjedhje nuk do të kërkohet dorëheqja e Ramës. Vazhdon të jetë ky teatri” tha Thano. Ka një marrëveshje që të bëhet kjo lojë? “Patjetër, ndryshe do të kërkohej dorëheqja e Ramës” tha ai./ db/Abcnews.al