“Vetëvendosja del me gati 15 përqind më pak se zgjedhjet e fundit”/ Sondazhi: Opozita e bashkuar, mund Albin Kurtin

schedule23:23 - 6 Maj, 2024

schedule 23:23 - 6 Maj, 2024

Albin Kurti duket se po merr kosto për lëvizjet e tija ndaj perëndimit, po kësaj radhe në Kosovë. Ndërsa opozita po bashkon presionin për zgjedhje të reja, një sondazh tregon se nëse zgjedhjet mbahen sot, Vetëvendosja del me gati 15 përqind me pak sesa zgjedhjet e fundit. Ndërsa një front i bashkuar LDK, PDK, AAK do ta nxirrte atë në opozitë. Sondazhi shënon gjithashtu një rritje te ndjeshme të partisë së Ramush Haradinajt.

Para tre vjetësh, në Shën Valentinin e vitit 2021, Albin Kurti dhe Lëvizja e tij vetëvendosje, në një partneritet të rëndësishëm me Vjosa Osmanin dhe partinë e saj Guxo, do të fitonin pothuaj 50 përqind të votave në Kosovë, duke krijuar një parti shtet që kishte paravendosur të mos bashkëpunonte me opozitën.

Por tre vjet më pas, situata është shumë më ndryshe. Qytetarët janë të pakënaqur me trajtimin e arsimit, shëndetësisë, luftën kundër korrupsionit dhe nepotizmit, papunësinë dhe mungesën e zhvillimit ekonomik. Një sondazh I qendrës për hulumtim dhe informim publik në bashkëpunim me tre institute, përfshi atë të Ballkanologjisë, ka treguar se opozita e bashkuar e mund Albin Kurtin dhe Lëvizjen vetëvendosje. Nëse zgjedhjet do të mbaheshin këtë të diele, Lëvizja Vetëvendosje do të fitonte 38.07 për qind ndërsa opozita e bashkuar më shumë se 47 përqind.

PDK do të fitonte 17.19 për qind, LDK 18.22 për qind ndërsa AAK-Nisma 12.44 për qind. Duket se rritjen më të madhe do ta kishte partia e Ramush Haradinaj e cila ka bërë koalicion me Fatmir Limajn. Gazetari investigativ Visar Duriqi thotë se duket se AAK dhe Nisma dinë të befasojnë në zgjedhje.

Anketa është bërë në shtatë qytete të Kosovës ku janë pyetur rreth 1350 respondentë qytetet përfshin kryeqytetin Prishtinë, Mitrovicë, Pejë, Prizren, Gjilan, Ferizaj dhe Gjakovë.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!