“Veteranin” e shqetëson sulmi, Muller: Gabime të tilla ndaj Real Madrid kushtojnë shumë

schedule20:36 - 29 Prill, 2024

schedule 20:36 - 29 Prill, 2024

Mund të konsiderohet një fitore, që mban lart moralin e ekipit. “Bavarezët” e Bayern Munich, që arritën të mundin me rezultatin e ngushtë, “Shqiponjat” e Enitracht Frankfurt, në “Allianz Arena”, me “veteranin”, Thomas Muller, që i dhuroi një tjetër sukses skuadrës, teksa ishte pikërisht ai që fitoi penalltin, në fundin e sfidët, e cila u ekzekutua mjeshtërisht, nga “bomberi” anglez, Harry Kane.

Pavarësisht fitores, “legjenda” e gjallë e Bayern ka kritikuar jo pak lojtarët e fazës ofensive, me Muller, i cili pas ndeshjes tha për mediat se pasiguria më e madhe e skuadrës është shpërdorimi i shumë rasteve para porte, teksa u ndal edhe te sfida, ndaj “Galaktikëve” të Real Madrid, në gjysmëfinalen e Champions, ku u shpreh se një gabim i tillë në atë sfidë mund t’i kushtonte shumë.

“E merituam fitoren. Ajo që më lë pasiguri pas këtij dueli ka të bëjë me mungesën e shënjestrës para porte. Nesër kemi përpara takim shumë të rëndësishëm dhe gabimi më i vogël kushton shtrenjtë. Mbi rastin e penalltisë, e diktova që në fillim se do ishte 11-metërsh. Kontakti i Koch në fytyrën time u pa qartë. Nuk e di përse gjyqtari duhet të priste gjatë për ta konfirmuar. Më pëlqen optimizmi në ekip.

Një pikë e cila na ka bezdisur në këtë periudhë janë edhe prononcimet sesi transformohen në media. Profesionalizmi është diçka shumë e rëndësishme, si ne që luajmë në fushë, ashtu edhe reporterët në hapësirën gazetareske. Më kujtohet precedenti me frazën që pohova në media rreth deklaratave të Oliver Kahn para disa kohësh.

Gjithsesi, pjesë e së shkuarës. Tashmë është koha të fokusohemi totalisht te Championsi. Na pret sfidë e fortë dhe impenjative. Skuadrat kanë ndryshuar në vitet e fundit, prandaj do jetë e vështirë në shumë drejtime. I bindur se mbështetja e tifozëve do jetë një armë shtesë kundrejt Realit”,- theksoi Muller pas fitores, ndaj “Shqiponjave”.

Megjithatë, pavarësisht kritikave, mbetet për t’u parë nëse “veterani” i sulmit do jetë në sfidën e së martës, pasi Tuchel nuk i besoi asnjë minutë ndaj “Topçinjve” të Arsenal, teksa kujtojmë se Muller është përballur me “Los Blancos”, 8 herë në UEFA Champions League, duke fituar vetëm në 2 raste, ndërsa ka humbur 5 përballje, si dhe ka siguruar 1 barazim, duke mos gjetur asnjëherë rrugën e rrjetës. /i.m /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!