Veteranët e Zbarkimit në Normandi tregojnë historitë e tyre

schedule09:17 - 6 Qershor, 2019

schedule 09:17 - 6 Qershor, 2019

Më 6 qershor është 75 vjetori i ditës kur trupat aleate nisën zbarkimin në plazhet e Normandisë për të filluar çlirimin e Francës së pushtuar nga nazistët. Zbarkimi shënoi fillimin e fundit të Luftës së Dytë Botërore. Një veteran i Normandisë u tregon historinë e tij rekrutëve të rinj të ushtrisë, në mënyrë që ata të kuptojnë më mirë luftën dhe sakrificat. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Kevin Enoch sjell hollësitë.

Sulmi i forcave aleate në Normandi më 6 qershor të vitit 1944 ishte ofensiva më e madh në histori nga deti. 24 mijë trupa ajrore zbarkuan pas vijave të frontit të armikut gjatë natës dhe 156 mijë trupa amerikane, britanike dhe kanadeze sulmuan pesë plazhe në orët e para të mëngjesit.

93-vjeçari George Ciampa ishte mes tyre, dhe ai u tregon historinë e tij ushtarëve të ardhshëm.

“Mirmëngjes, ju të gjithë jeni rekrut të rinj, apo jo?”

Zoti Ciampa ishte në ato plazhe për më shumë se një vit.

“Detyra ime ishte regjistrimi i varreve. Ky është një eufemizëm për mbledhjen e trupave të ushtarëve të vdekur, amerikanë dhe gjermanë, dhe vendosjen e tyre në një varrezë të përkohshme”.

9,300 njerëz që u vranë gjatë këtij operacioni janë varrosur përgjithmonë këtu në këtë varrezë pranë brigjeve të Normandisë. Dhe George Ciampa kujton ato ditë të rënda për të.

“Një ditë humba durimin dhe togeri drejtoi pushkën nga unë dhe më tha:”mblidh veten dhe vazhdo punën”. Ky ishte trajtimi. Punova si një robot rreth trupave të ushtarëve të vdekur duke mbajtur nën kontroll emocionet”.

Por, pavarësish vështirësive që kishte përjetuar, kur zoti Ciampa u kthye në shtëpi pas luftës, ai nuk fliste për përvojat e tij.

“Nga njera anë duhet të mbroja familjen nga tmerret e asaj që kaluam, nga ana tjetër unë isha veçse një nga miliona njerëzit që kanë përjetuar të njëjtën gjë në Luftën e Dytë Botërore. Pra nuk kam qenë i vetmi që e kam përjetuar atë. Ka patur njerëz që kanë përjetuar momente dhe pasoja shumë më të rënda se unë. Shumë njerëz kanë humbur jetën ose janë kthyer në vend me gjymtyrë të humbura”.

Veteranët që janë ende gjallë nga Lufta e Dytë Botërore si zoti Ciampa bisedojnë me të rinjtë që planifikojnë të hyjnë në ushtri që t’i ndihmojnë ata ta kuptojnë se sa e vështirë është jeta në ushtri.

“Dua t’ua kujtojë këtyre të rinjve se liria ka një çmim shumë të lartë”.

16 milionë amerikanë shërbyen në ushtri gjatë Luftës së Dytë Botërore. Prej tyre, më pak se 500 mijë janë ende gjallë sot./VOA

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!