Sondazh

Foltorja 2 e Berishës braktiset nga njerëzit:

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

Veteranët e UÇK drejt Hagës/ Protestë në mbështetje të ish-krerëve: Liri për çlirimtarët

schedule22:53 - 12 Shtator, 2025

schedule 22:53 - 12 Shtator, 2025

Me këngë patriotike dhe me thirrje për drejtësi, mbi 500 veteranë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe qytetarë të tjerë janë nisur drejt Holandës për të marrë pjesë në protestën në mbështetje të ish krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Hagë.

Shqiptarë nga Shtetet e Bashkuara dhe vende të ndryshme të Europës pritet të jenë para Gjykatës Speciale më 14 shtator, një ditë para se të nisë dëgjimi i dëshmitarit të parë të mbrojtjes.

Ramadan Gashi, Sekretar i Organizatës së Veteranëve të Luftës tha se ish-krerët e UÇK po gjykohen padrejtësisht. Ai tregoi se protesta do të jetë e qetë dhe theksoi se shpreson në lirinë e të akuzuarve.

“Ne po shpresojmë që do të merren parasysh kërkesat tona të cilat i kemi dërguar dje në Strasburg në Parlamentin Evropian të cilët na kanë pritur shumë mirë, kryetarin Hyseni Gucati dhe nënkryetarin Gazmend Syla, të cilët kanë dorëzuar një dokumentacion të vlefshëm të cilët e mirëpritën atë dokumentacion që të merren parasysh kërkesat tona. Ne do të shkojmë dhe të bëjmë një protestë të qetë. Shpresojmë që së shpejti edhe presidenti, kryeparlamentari, të gjithë do të kthehen faqebardhë dhe do të lirohen…Thirrja kryesore do të jetë liri për çlirimtarët, nuk e kanë vendin në burg, ata do të jenë të lirë e kanë vendin në Kosovë, të kthehen pranë familjeve të tyre dhe të jenë të lirë sikur të gjithë qytetarët e Kosovës”, ka thënë Ramadan Gashi.

Hysen Bytyqi, është 80-vjeç, por mosha nuk e ka penguar që të marrë rrugë të gjatë drejt Hagës.

“Ju kam bashkuar [protestës] edhe do i bashkohem në maksimum, s’do i ndahem hiç… Po shkojmë në Hagë të protestojmë kundër padrejtësisë së Gjykatës Speciale të Hagës…Nuk pritoj kurrë, deri në vdekje që të udhëtojë për në Hagë”, shprehet Hysen Bytyqi.

Specialja, e cila i heton krimet e pretenduara të luftës, ka seli në Holandë dhe funksionon me staf ndërkombëtar, edhe pse e themeluar me ligje të Kosovës në vitin 2015.

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryetarët e Kuvendit, Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, si dhe ish-deputeti Rexhep Selimi ndodhen në një proces të tejzgjatur gjyqësor në Dhomat e Specializuara të Hagës.

Ata akuzohen për krime të luftës dhe krime kundër njerëzimit dhe të gjithë janë vetëdeklaruar të pafajshëm.

/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!