Vetëm pak ditë pas inaugurimit, Biden gati të marrë pjesë në samitin e NATO-s

schedule10:33 - 27 Janar, 2021

schedule 10:33 - 27 Janar, 2021

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg njoftoi se kishte zhvilluar një bisedë telefonike me presidentin amerikan, Joe Biden për të përgatitur samitin e Aleancës dhe për të folur rreth sfidave të ndryshme.

Stoltenberg përshëndeti “fokusin e Biden në rindërtimin e aleancave”, pas katër vitesh të presidentit amerikan Donald Trump i cili sulmoi aleatët e vjetër.

“Është një kënaqësi të flas me presidentin amerikan dhe ta përgëzoj atë për postin e tij. Ky është një kapitull i ri për Aleancën tonë Transatlantike. Unë do e mirëpres me kënaqësi  në samitin e NATO-s dhe  do të punojmë ngushtë me të”, theksoi ai në një mesazh të postuar në llogarinë e tij në Twitter.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s përshëndeti qëndrimin e presidentit Biden në rindërtimin e aleancave dhe nënvizoi se NATO është vendi ku europianët dhe amerikanët takohen çdo ditë dhe se së bashku, ata mund të përballen me sfida që asnjë nga vendet  nuk mund të përballej vetëm.

“Takimi i ardhshëm i NATO-s “do të mbahet në Bruksel gjatë këtij viti dhe drejtuesit do të marrin vendime për ta bërë Aleancën tonë edhe më të fortë”, theksoi Stoltenberg.

Ata diskutuan sfidat e përbashkëta si “lufta kundër terrorizmit ndërkombëtar, duke përfshirë Afganistanin dhe Irakun, që kanë të bëjnë me një Rusi më këmbëngulëse dhe rritjen e fuqisë së  Kinës”, sipas deklaratës.

Data e samitit do të varet nga situata e pandemisë në Europë./abcnews.al