Vetëm negociatat mund ta shpëtojnë Putinin nga katrahura që gatoi në Ukrainë

schedule03:40 - 23 Shtator, 2022

schedule 03:40 - 23 Shtator, 2022

Nga Holman W.Jenkins “Wall Street Journal

Përktheu: Alket Goce-abcnews.al

Rusia mund ta kishte fituar “bastin” e vendosur mbi luftën në Ukrainë, vetëm në rast se teza e saj origjinale do të kishte qenë e saktë:Ukraina ishte një vend i rremë dhe një shtet i kalbur, gati të dorëzohej plot mirënjohje në duart e Rusisë. Kjo do të kishte vërtetuar shumë gjëra.

Pra që Rusia është një model për të ardhmen, ku çdo shtet dëshiron të jetë pjesë e saj, se ajo është e rrethuar plot me vende dhe popuj, të cilët janë natyrshëm të prirur që t’i nënshtrohen kontrollit të saj. Por tani Vladimir Putin e di se asgjë nuk do t’i japë më shpejt fund këtij basti, sesa rasti kur aleatët e brendshëm do ta shihnin atë duke u përpjekur të shkaktojë një përshkallëzim të rrezikshëm të një lufte të dështuar, e cila nuk ofron më asnjë avantazh për Rusinë, dhe që vazhdon vetëm për t’i shpëtuar fytyrën Putinit.

Me luftën që nisi, presidenti rus ka zhbërë 50 vjet përpjekje të Bashkimit Sovjetik dhe më pas Rusisë federale për të ndërtuar një marrëdhënie biznesi me evropianët, kryesisht në fushën e naftës dhe gazit. Dhe tani “basti” më i mirë i Putinit është të negociojë.

Pra si fillim, të arrijë një armëpushim, dhe më pas të imponojë zvarritjen e bisedimeve për 10 vjet, 20 vjet, apo për sa kohë që ai parashikon të jetë gjallë, ndërsa përpiqet të ri-forcohet.

Çështja është shumë e debatuar. Por Putin mund t’i mbijetojë edhe një lufte të dështuar në Ukrainë.

Ushtarët rusë tashmë të vrarë në front, i përkasin kryesisht shtresave më të ulëta dhe pakicave nga provincat. Ne mund të supozojmë se ai di diçka mbi situatën ku ndodhet. Politika e tij më e spikatur, të cilës i është nënshtruar çdo gjë tjetër që nga koha kur lufta nisi të shkojë keq, ka qenë lënia në errësirë e një pjesë të mirë të popullsisë ndaj faktit se në vendin fqinj po zhvillohet luftë.

17 milionë banorët e privilegjuarit të Moskës dhe Shën Petersburgut, nuk do të protestojnë në rrugë nëse ai nuk arrin ta pushtojë Ukrainën. Ata mund ta bëjnë këtë, vetëm nëse Putin do të përpiqet që të tërheqë edhe familjarët e tyre në këtë luftë.

Ai do të përballej me nacionalistët e vijës së ashpër, por po mbush 70 vjeç, ndaj është gjithsesi i destinuar të përballet me rrezikun që i kanoset çdo diktatori të plakur. Shanset e tij janë më të mira kanë të bëjnë me reduktimin e humbjeve, por mos prisni që të ndodhë kjo.

Ai nuk mund të tregojë para kohe kartat e fundit që ka në dorë, pasi gjëja tjetër që nuk mund të rrezikojë është të poshtërohet nga Volodymyr Zelensky. Për muaj të tërë, Putin është përballur me disa llogaritje të gabuara:një gabim ushtarak nga Ukraina dhe aleatët e saj perëndimorë, apo supozimin se evropianët do t’i nënshtroheshin panikut nga mungesa e energjisë ruse.

Edhe nëse tani një mik apo aleat do të ngjitet në pushtet në Itali, apo në një vend tjetër të madh evropian, kjo nuk do ta pengonte amerikanët, britanikët, evropiano-lindorët dhe madje edhe gjermanët të vazhdojnë mbështetjen e Ukrainën. Dhe në dallim nga Putin, Ukraina nuk e ka aspak problem të mobilizojë popullsinë e saj në mbështetje të luftës.

Ata luftojnë me dëshirë. Armët dhe stërvitjet nga Perëndimi, po i kthejnë ata në një superfuqi ushtarake lokale. Çdo histori rreth një balerini, poeti apo sipërmarrësi që vdes në betejë, krahasohet me varësinë e Rusisë nga mercenarët. Pasi për një kohë të gjatë nuk njoftonte për humbjet, Ukraina nisi të fliste për 100- 200 të vdekur në ditë si pasojë e bombardimeve ruse me rreze të gjatë.

Unë isha skeptik për atë taktikë. E përse duhet të forcoheshin pozicionet përpara, kur Rusisë i mungonte dukshëm këmbësoria për të pasuar bombardimet? Por Ukraina mund të flasë për humbjet e saj, ndoshta edhe t’i ekzagjerojë ato, ndërsa Rusia ka ende nevojë të fshehë të sajat.

Shkathtësia e dukshme e Ukrainës, bazohet tek taktikat novative dhe multidisiplinare (përfshirë luftën e informacionit) që mbizotërojnë në shekullin XXI-të. Edhe vetë Putin duhet të jetë duke e kuptuar tablonë dhe rrezikun që parashikojnë ato për më shumë humbje. Kjo është ndoshta arsyeja pse po shmang gjithnjë e më shumë udhëheqjen ushtarake zyrtare, në favor të konsultimit me shefat e tij mercenarë.

Levat e tij energjetike nuk mund ta shpëtojnë, pasi ka pritur shumë gjatë për t’i luajtur ato. Paniku fillestar në Gjermani ia ka lënë vendin përgatitjes dhe planifikimit. Ndërsa lufta e tij “e lehtë” ka dalë jashtë kontrollit, ai nisi të marrë masa që klasa e mesme ruse me më shumë ndikim në vend, të ishte minimalisht e shqetësuar nga konflikti.

Javën e kaluar u zbulua një video e një njeriut shumë pranë Putinit, Yevgeny Prigozhin, në oborrin e një burgu në përpjekje për të rekrutuar luftëtarë me pagesë. Më e spikatur ishte përgjigja e sinqertë e Prigozhin ndaj rrjedhjes së informacionit:“Në luftë do të shkojnë ose kompani ushtarake private dhe të burgosurit, ose fëmijët tuaj. Këtë vendoseni vetë!”.

Këto fjalë, të postuara në rrjetet sociale, kishin si objektiv rusët e sofistikuar, që i marrin lajmet nga interneti, dhe jo prindërit e tyre që ndjekin çdo ditë propagandën bajate të televizionin shtetëror. Mbështetësit e vijës së ashpër të Vladimir Putin, ishin të zemëruar me ceremoninë e përvjetorit të themelimit të kryeqytetit.

Ai inauguroi një karusel gjigant, në një kohë që trupat ruse po tërhiqeshin në frontin ukrainas. “Është shumë e rëndësishme që njerëzit të kenë shansin të çlodhen me familjen dhe miqtë e tyre”- deklaroi Putin. Ai mund të vërtetojë se e kam gabim, nëse firmos një ligj për të hedhur në luftën e tij të kotë bijtë e arsimuar të shtresës së mesme ruse. Por unë dyshoj se do ta bëjë këtë. Tani çështja kryesore mund të mos jetë nëse Putin dëshiron një rrugëdalje nga ky konflikt. Por nëse presidenti ukrainas Zelensky do t’ia japë një të tillë. /abcnews.al