Vetëflijimi i nënë e bijë, psikologia: Vetëvrasja e babait i çoi në tentativë për sakrificë

schedule16:16 - 11 Korrik, 2020

schedule 16:16 - 11 Korrik, 2020

Një nga shkaqet që ka çuar në vetëflijim tre gratë e familjes Josifi në Kombinat, ka qenë mungesa e kryefamiljarit. Këtë e evidenton në një intervistë për ABC News, psikologia e Policisë së Tiranës, Besmira Muça.

“Nisur nga kushtet që ndodhej vajza e mbijetuar, mund të themi që humbja e jetës së babait ka qenë shkaku kryesor që ka çuar këtë familje në tentativë për të vetësakrifikuar për dashurinë.

Që kanë pasur ndaj babait. Sipas dëshmisë së vajzës është bërë me dije që vetësakrifikimi ishte një nga metodat që ato do të përdornin për t’u afruar me dashurinë ndaj babait dhe çlirimi nga dhimbja personale ka qenë një ndër shkaqet kryesore që ato kanë tentuar për t’u vetësakrifikuar në mënyrë të tillë që t’i bashkohen figurës së të atit.

Por duhet të dimë që modeli që ato kanë pasur tek figura ndaj të atit, po ashtu edhe kushtet psikosociale në të cilat ato ndodheshin, humbja e vendit të punës, izolimi që ato patën nga rrethi social, sigurisht që ishte një ndikues”, u shpreh ajo.

Sipas të dhënave zyrtare të policisë, numri i vetëvrasjeve dhe i tentativave për vetëvrasje ka qenë në ulje.

Në 6 muajt e parë të 2020-ës janë regjistruar 18 vetëvrasje, nga 32 të tilla që ka pasur në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ndërsa tentativat për vetëvrasje, 13 raste janë regjistruar në 6 muaj e parë të këtij viti dhe 16 vitin e kaluar.

“Nisur nga statistikat 6 mujore të vitit 2019 dhe 2020, në Drejtorinë Vendore të Policisë së Tiranës janë regjistruar 14 raste më pak për vetëvrasje dhe 3 raste më pak të tentativave për vetëvrasje”, thotë Muça.

Sipas psikologes se policisë së Tiranës, janë disa faktorë që ndikojnë tek personat që tentojnë të ndërmarrin aktin ekstrem.

“Te faktorët psikotikë kemi të bëjmë me një risk të lartë të personave të cilët kryejnë tentativa për vetëvrasje ose vetëvrasje. Sigurisht këtu ka edhe një bazë genetike në të cilën ata mbështeten. Ndikojnë humbja e njerëzve të dashur, humbja e pasurisë, bullizmi që është një fenomen shqetësues për individin”, shprehet Muça.

Një mundësi për të parandaluar vetëvrasjet, e për t’u ardhur në ndihmë atyre që shfaqin shenja te çrregullimit mendor, sipas Muçës, është lajmërimi i policisë, apo psikologu./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!