Kryetari i Partisë për Bashkimin e të drejtave të Njeriut, Vangjel Dule ishte i ftuar në studion e ABC News, përballë gazetarit Endri Xhafo.
Dule foli gjithashtu për ligjin e pronave, i cili ka shkaktuar mjaft debate.
Sipas Dules, qeveria në mënyrë okulte, dhe duke anashkaluar të gjithë grupet e interesit për këtë ligj, duke përfshirë edhe këshilltarët ndërkombëtarë, gjithashtu duke injoruar rekomandimet e Këshillit të Europës, ka futur në procedurë parlamentare ligjin për pronën në Republikën e Shqipërisë.
Dule tha se kjo gjë është bërë nga ana e qeverisë për interesa të veta dhe të klientëve pranë kryeministrit.
Pjesë nga biseda:
Endri Xhafo: Ju keni tundur kambanën e alarmit për çështjen e pronave, mund të më shtjelloni se për çfarë arsye keni kontestimet tuaja?
Vangjel Dule: Në momente të tilla ku jeta politik,me është tejet e ngarkuar, me çështje shumë të rëndësishme për fatet e republikës, qeveria vjen dhe në mënyrë kulte dhe fut në procedurë parlamentare një ligji të rëndësishëm që prek interesat e një numri të madh të qytetarëve të republikës dhe ka të bëjë për procedurën madhore të pronës. Ka pasur një draft i cili ishte miratuar në Kuvend dhe ishte çuar në Komisionin e Venecias në mënyrë që të merrej mendim. Komisioni i Venecias bëri rekomandime të caktuara në lidhje me këtë ligj. Në një kohë që të gjithë prisnin të fillonte një konsultim i përgjithshëm me pronarët e vërtetë të pronave, qeveria anashkaloi të gjithë grupet e interesit me një procedurë e cila ishte e përshpejtuar, pa marrë parasysh mendimin e grupeve të interesit përfshirë edhe këshilltarë ndërkombëtarë në këtë proces, pa marrë parasysh mendimin futet në grupet parlamentare duke injoruar rekomandimet e Këshillit të Europës. Dëshiroj të theksoj se kjo gjë jo vetëm nuk zgjidh problematikat e një seri ligjesh të mëparshme në lidhje me pronën por krijon hapësira të tjera abuzimi për qeverinë dhe struktura të emëruara dhe në shërbim të qeverisë që kanë për objektiv çështjen e pronave.
Kjo është tepër e rrezikshme, kufizon të drejta të pushtetit vendor, të sistemit të drejtësisë etj.
Endri Xhafo: Ju jeni zëdhënës i grupeve që jo gjithmonë gjejnë mbështetje, është ngritur shqetësimi i pronave në bregdet, si dhe sa i prek qytetarët e bregut kjo?
Vangjel Dule: U përpoqëm që të marrim mendimin e disa grupeve të interesit, morëm një vërejtje dhe pakënaqësi si parti e PBDNJ, se ne i kishim mëshuar fort çështjes së pronave në zonën e Himarës dhe nuk jemi shtrirë në gjthë republikën. Ne e kemi ngritur edhe në parim çështjen e pronës duke mbrojtur interesat e ligjshme të gjithë qytetarëve, dhe në veçanti të banorëve të zonës së bregut. Sepse aty për gjykimin tonë, kemi një zgjedhje strategjike të kryeministrit dhe qeverisë aktuale, që ka për synim tjetërsimin e statusit pronësor në gjithë bregun e jugut dhe pjesërisht edhe në Adriatik në dëm të pronarëve të ligjshëm dhe në favor të interesave të caktuara biznesesh që janë afër kryeministër klientë të tij.
Endri Xhafo: Të ashtuquajturit investitorë strategjik?
Vangjel Dule: Shikoni është pak edhe termi por edhe procedura që parashikohet nga kuadri ligjor tepër abuziv sepse me këtë term synohet që të vihet në mënyrë të paligjshme kontroll një pasuri jashtëzakonisht të madhe duke dëmtuar interesa dhjetëra mijëra familjesh. Parimi i kësaj qeverie është vetë Ali e vetë Kadi.
Endri Xhafo: Ardhja e Club Med, e mirënjohur, historia fillon që në kohën e qeverisjes së Nanos, dhe u bllokua për një çështje të pronës dhe vazhdon të jetë i mbyllur një nga zonat më të bukura të jugut.
Vangjel Dule: Kam qenë i pari që kam qenë kundër atij investimi të qeverisë Nano. Duke përfaqësuar interesat e atyre njerëzve, dua të theksoj se ata janë më të interesuarit për zhvillimin në zonë por nuk mund të ketë zhvillim duke abuzuar mbi interesat e pronarit të vërtetë. Pse është tërhequr “Club-med”?
U ndërgjegjësua se kuptoi se synimet e qeverisë ishin që i gjithë investimi të funksiononte duke neglizhuar, pronarët e vërtetë të kësaj zone. Fatin e kësaj historie do ta kenë të gjithë bizneset që do bien pre e politikave të kësaj qeverie që dëshiron që për interesat e veta ti vendosin ata kundër komunitetit lokalë. Ekzistojnë të gjitha mundësitë për të zgjidhur çështjet e pronës.
Endri Xhafo: A rrezikohen banorët e Himarës, Jalit si banorët e Nivicës?
Vangjel Dule: Po edhe më tepër, sepse politikat e tanishme janë shumë më agresive se politikat e atëhershme të qeverisë Nano.
Endri Xhafo: A mund të shpresoni ju te mbështetësit tuaj në Greqi ?
Vangjel Dule: Nuk është çështje e Greqisë me Shqipërinë, është çështje e Shqipërisë me qytetarët e vet. Është një çështje e Shqipërisë me Bashkimin Europian, rrjedhimisht këto janë instrumente të ligjshme që do të përdoren në mbrojtje të të drejtave që kanë njerëzit. Në situatën aktuale politike kaluari bëhet më i vështirë por unë jam i bindur se e e drejta e pronës nuk humbet./abcnews.al