Veseli: Vetëm zërat proruse dhe proserbe përmendin ndarjen e Kosovës

schedule17:56 - 2 Shtator, 2018

schedule 17:56 - 2 Shtator, 2018

Kryeparlamentari Kadri Veseli gjatë një tryeze diskutimi në Mitrovicë tha se vetëm zërat prorusë dhe proserbë përmendin ndarjen e Kosovës. Sipas tij, kjo nuk do të ndodhë dhe Mitrovica do të jetë gjithmonë pjesë e Kosovës.

Në një tryezë në Mitrovicë, për fazën finale të dialogut, ku morën pjesë intelektualë e qytetarë nga ky qytet, kryetari I kuvendit dhe i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ka përsëritur se Mitrovica do të jetë përherë pjesë e Kosovës dhe nuk do të bëhet kurrë pjesë e asnjë pazari. Sipas Veselit, të gjithë ata që mendojnë për ndarjen e Kosovës, janë zëra prorusë e proserbë.

Kadri Veseli, kryetar i Kuvendit të Kosovës: “Ndoshta ju ka ra rasti kohëve të fundit të dëgjoni zëra të ndryshëm që flasin se si Mitrovica mund të jetë pjesë e pazareve për shkëmbim territoresh me Serbinë. Besoni, këta zëra janë të njerëzve e qarqeve që nuk ia duan të mirën as Mitrovicës e as Kosovës. Nuk e njohin Mitrovicën, nuk e duan ose aq shumë e njohin e duan vetëm për interesa të tyre të kufizuara jo në interes të Mitrovicës, as mitrovicasve! Janë zëra që nxisin panik te qytetarët dhe në këtë mënyrë u shërbejnë qëllimeve të këqija forcave anti-Kosovë. Janë zëra prorusë, janë zëra proserbë, të mbushur plot patriotizëm. Këta zëra armiqësor duhet të ndeshen me vendosmërinë tonë të plotë. Mitrovica kurrë, ama, bash kurrë nuk do të preket. Mitrovica ka qenë dhe përgjithmonë ka për të mbetur zemra dhe krenaria e Kosovës”.

Veseli tha më tej se ka ardhur për të takuar qytetarë të Mitrovicës për të treguar edhe njëherë vendosmërinë e tij se shteti i Kosovës do të mbrohet dhe zhvillohet me vepra dhe jo më fjalë e gënjeshtra. kryeparlamentari nënvizoi se në këtë qytet do te ketë investime të mëdha./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!