Verifikimi i hershëm i kandidatëve, “harrohet” të ndryshohet ligji i dekriminalizimit

schedule14:17 - 13 Qershor, 2020

schedule 14:17 - 13 Qershor, 2020

Ishte 16 gushti i vitit të shkuar…Edi Rama kishte marrë goditjen e parë nga ligji i dekriminalizimit mes të përzgjedhurve të tij për kryebashkiakë.

Kishte humbur mandatin, ende pa e marrë, i preferuari i tij në Shkodër, Valdrin Pjetri.

Kryesocialisti u vetëdeklarua i pafuqishëm për të hetuar pastërtinë penale të atyre që kandidonte, ndaj propozoi si zgjidhje të vetme, ndryshime në ligjin e dekriminalizimit.

“Partitë nuk verifikojnë dot të dhëna individuale jashtë afateve të përcaktuara nga shtetet për dëshminë e penalitetit. Ato merren vetëm me kërkesë nga policia ose prokuroria. Koha të fusim në ligj afate verifikimi shtetëror të kandidaturave para regjistrimit të tyre në zgjedhje!”

Por, pak muaj më pas, dekriminalizimi do të bënte kurbanin e radhës në oborrin e Edi Ramës. Pas shkarkimit edhe të Agim Kajmakut në Vorë, Rama përsëriti vendosmërinë e tij për ndërhyrje në ligj.

“Duke i çliruar të gjitha partitë politike nga kjo barrë për të lexuar mendjen e individëve të papërgjegjshëm, përmes një ndërhyrje në ligj që do tu japë mundësi organeve ligjzbatuese të verifikojnë kandidatët përmes një liste të dorëzuar në një kohë më përpara se sa fillimi i fushatës. Policia e prokuroria duhet të futen në këtë proces më parë”, tha Rama në 17 nëntor.

Madje, në një seancë parlamentare, Taulant Balla njoftoi se kryeministri i kishte shkruar ndryshimet ligjore.

Rasti i Shkodrës na bën të kuptojmë se legjislacioni nuk është ende i plotë. Kryeministri Rama, në cilësinë e deputetit të Kuvendit të Shqipërisë,  ka njoftuar dhe do të depozitojë në Komisionin e Reformës Zgjedhore si amendamente, shtërngimet e domosdoshme”, tha Balla në 2 shtator.

Por këto ndryshime nuk u sollën kurrë zyrtarisht në Kuvend, as kur kanë kaluar 10 muaj nga koha kur u premtuan.

Socialistët thanë se ato do të integroheshin tek Reforma Zgjedhore, pasi kërkojnë dhe ndryshime në Kodin Elektoral.

Por Damian Gjiknuri, i pyetur për këtë cështje nga ABC News, tha se pavarësisht se e kishte diskutuar për këtë cështje me kryeministrin, asnjëherë këto ndërhyrje ligjore nuk u shtruan kurrë në tryezën e negoociatave me opozitën.

Nëse ideja e Ramës do të realizohej, do të duhej që partitë t’i deklaronin kandidatët gati 3 muaj përpara zgjedhjeve, në mënyrë që prokuroria të merrte kohë për hetim të thelluar e të pengonte kandidimin e problematikëve përpara se të zgjidheshin. /abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!