Veri-Jug, rinis bashkimi i familjeve koreane të ndara nga lufta

schedule22:30 - 22 Qershor, 2018

schedule 22:30 - 22 Qershor, 2018

Familjet  koreane të ndara nga lufta e viteve ‘50 do të mund të ribashkohen në fund të gushtit, ne kuader te një marrëveshjeje mes Veriut dhe Jugut.  Por që nga lufta e deri më sot, pak persona kanë mbetur gjallë për të përfituar nga pakti mes Seulit dhe Penianit.

Korea e Veriut dhe ajo e Jugut kanë rënë dakord të fillojnë sërish ribashkimet e familjeve të ndara nga lufta koreane, që shënoi dhe ndarjen e kufirit mes dy vendeve. Miliona koreanë u ndanë nga të dashurit e tyre si pasojë e konfliktit të viteve 1950-1953 dhe shumë prej tyre ndërruan jetë para se të mund të takoheshin sërish.

Ribashkimi, që pritet të realizohet në Gusht, do të jetë i pari që prej tetorit 2015 dhe vjen në një kohë, kur marrëdhëniet mes dy Koreve kanë ndryshuar. Për rifillimin e këtij procesi Seuli dhe Peniani ranë dakord në samitin e Prillit. Atëherë, delegatë nga të dyja palët u takuan në një lokalitet malor të Veriut dhe caktuan fundin e gushtit për ribashkimin.

Në një deklaratë të përbashkët për shtyp saktësohet se periudha e zgjedhur është ajo nga data 20 deri më 26 gusht dhe pritet që nga të dyja palët të jenë rreth 200 persona. Ata do të mund të qëndrojnë me njerëzit e tyre për tre ditë, para se të kthehen në anët përkatëse të kufirit. Por koreanët e mbetur gjallë që nga fundi i konfliktit janë vetëm një fraksion i vogël i totalit prej 57 mijë personash të regjistruar në Kryqin e Kuq koreanojugor si të ndarë nga lufta./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!