“Vëri gishtin kokës”, Basha i përgjigjet Veliajt për incidentin në QS: S’më ndalon dot të flas me studentët

schedule13:37 - 5 Shkurt, 2020

schedule 13:37 - 5 Shkurt, 2020

Një ngjarje e paprecedent ndodhi mbrëmjen e djeshme në godinat e Qytetit Studenti. Lideri i PD-së, Lulzim Basha shkoi të takonte studentët në konvikt por teksa ai bisedonte me ta, një kudestare tentoi ta nxjerrë jashtë me argumentin se kishte hyrë pa leje. Jo vetëm kaq! Reagoi zyrtarisht Bashkia e Tiranës, duke dhënë se “dënojmë dhunën e ushtruar ndaj recepsionistes së Godinës nr. 4 në Qytetin Studenti nga qytetari Basha dhe tabori i tij i figurantëve, që prej disa ditësh kanë nisur të xhirojnë klipe nëpër Tiranë. Kemi nisur menjëherë procedurat për denoncimin e tij para organeve ligjzbatuese si dhunues”.

Lulzim Basha i ktheu sot përgjigje kryebashkiakut Veliaj, duke shkruar :  “Ju bëj thirrje atyre që kanë zgjedhur rrugën e kërcënimeve dhe intimidimeve që ti vënë gishtin kokës. Askush dhe asgjë nuk do ti ndalë njerëzit që të dëgjohen dhe ta thonë fjalën e tyre”.

Reagimi i plotë i Bashës

Ngjarjet e mbrëmshme janë një pasqyrë e qartë e realitetit me të cilën përballet Shqipëria.

Mbrëmë isha ftuar nga disa studentë për të parë si jetojnë dhe për të dëgjuar shqetësimet e tyre. Studentët tanë janë e ardhmja e këtij vendi, shqetësimet e tyre janë shqetësimet tona.

Kjo është rruga që kemi zgjedhur ne. Rruga e të dëgjuarit, rruga e përfaqësimit të vërtetë të të gjithë shqiptarëve.

Kur mbërritëm në godinë u takuam me një punonjëse të konviktit, e cila na kërkoi të largoheshim. Kjo porosi erdhi nga lart.

Kjo në fakt është rruga tjetër. Rruga e frikësimit dhe kërcënimit të njerëzve për t’ju mbyllur gojën dhe për ti mbajtur të nënshtruar e nën kontroll.

Për mua politikanët duhet të jenë shërbëtorë të popullit, jo e kundërta. Prandaj nuk do të lejoj askënd që të më pengojë të dëgjoj problemet e bashkëqyetarëve të mi dhe të përpiqem t’i ndihmoj ata. Kjo është arsyeja pse u bëra pjesë e jetës publike.

Ju bëj thirrje atyre që kanë zgjedhur rrugën e kërcënimeve dhe intimidimeve që ti vënë gishtin kokës. Askush dhe asgjë nuk do ti ndalë njerëzit që të dëgjohen dhe ta thonë fjalën e tyre.