Sezoni veror shton nevojat për gjak. Shkak bëhet rritja e numrit të aksidenteve rrugore. Ndërsa dhurimet vullnetare ne vendin tonë mbeten të ulëta.
Në ndihmë të fëmijëve talasemikë dhe në përgjigje të kërkesave në rritje në stinën e nxehtë Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Qendra Kombëtare e Transfuzionit të Gjakut kanë nisur një fushatë ndërgjegjësimi.
“Për sa i përket nevojave në nivel kombëtar, ne jemi në 12.1 dhurime për 1 mijë banorë dhe duhet të shkojmë drejt 20 dhurime për 1 mijë banorë, që është një nivel i kënaqshëm dhe optimal për sa i përket dhurimit të gjakut”, tha Manastirliu.
Para se të dhuronte gjak ministrja Ogerta Manastirliu apeloi;
“Në vetëm 10 minuta shpëtojnë 3 jetë! Ndaj është shumë e rëndësishme të gjithë së bashku të kontribuojmë me këtë akt human dhe një akt, i cili në fakt, përtej angazhimeve dhe punëve tona të përditshme, është një përgjegjësi e madhe qytetare”.
Vitin e shkuar në Shqipëri janë kryer mbi 34 mijë dhurime të gjakut. 80% e tyre vinin nga familjarët e personave që kanë nevojë për gjak dhe pjesa tjetër janë dhurime vullnetare./abcnews.al.

