Dje u mbajt Asambleja e Përgjithshme e FSHF-së dhe një nga vendimet kishte lidhje me Shoqatën Sportive të Minifutbollit Shiptar. Kjo shoqatë është prej vitesh anëtare e FSHF-së, por jo më prej ditë së djeshme.
FSHF vendosi përjashtimin e kësaj Shoqate dhe ky lajm nuk është pritur aspak mirë nga këta të fundit. Shoqata Sportive e Minifutbollit Shqiptar, ka dalë me një njoftim për mediat, aty ku mban qëndrimin e vet dhe akuzon Federatën Shqiptare të Futbollit.
“Shoqata Sportive e Minifutbollit Shqiptar, është OJF e regjistruar sipas ligjit dhe prej vitesh anëtare me të drejta të plota e Federatës Shqiptare të Futbollit. Prej vitesh tashmë, Shoqata Sportive e Minifutbollit Shqiptar, ka denoncuar si ligjërisht, ashtu edhe publikisht, veprimet dhe mosveprimet e paligjshme të drejtuesve të FSHF për të penguar dhe bojkotuar këtë Shoqatë dhe sportin e minifutbollit në Shqipëri.
Publikisht kemi denoncuar veprimet e paligjshme të FSHF-së për të bojkotuar një nga anëtarët e saj duke bllokuar çdo gjë, në kundërshtim me ligjin, statutin dhe misionin e FSHF-in. Madje, siç ka rezuluar, FSHF ka pranuar përfaqësimin e falsifikuar të Shoqatës Sportive të Minifutbollit Shqiptar nga persona të paligjshëm, të cilët tashmë po përgjigjen penalisht para gjykatës.
Së fundmi, publikisht kemi rënë në dijeni të organizimit të një Asambleje të Përgjithshme të Zakonshme të FSHF-së, e mbajtur në datë 11/05/2020, në të cilën pretendohet se është vendosur përjashtimi i Shoqatës Sportive të Minifutbollit Shqiptar si anëtare e FSHF-së.
Ky veprim she tërësisht i paligjshëm, në kundërshtim me statutin e FSHF, duke qenë nul dhe si rrjedhim do të adresohet ligjërisht menjëherë. FSHF pretendon se Shoqata Sportive e Minifutbollit Shqiptar nuk ka qenë pjesëmarrëse në dy Asambletë e fundit të saj. Kjo është sa ironike dhe e pabesueshme.
Ju kujtojmë se Shoqata Sportive e Minifutbollit Shqiptar ka kërkuar pjesëmarrje në këto Asamble dhe me dhunë nuk është lejuar nga FSHF të marrë pjesë. Këtë veprim banditesk dhe në ilegalitet të plotë, e denoncojmë publikisht si një veprim tjetër të paligjshëm të FSHF-së, në vijim të shumë paligjshmërive të tjera. Për këto shkelje të FSHF-së kemi informuar FIFA-n dhe UEFA-n.
Përjashtimi i një anëtari të FSHF-së pa asnjë arsye dhe bazë, tërësisht në mënyrë të paligjshme, është një veprim që bie ndesh me çdo parim si sportiv ashtu edhe të manaxhimit të sportit. FSHF ka dalë nga roli dhe misioni i saj. Shoqata Sportive e Minifutbollit Shqiptar do të vijojë aktivitet e saj sportive siç ka bërë edhe më parë, do të mbrojë interesat e sportit dhe sportistëve si dhe do të përballë ligjërisht të gjithë personat përkatës që kanë cënuar dhe po kërkojnë shkatërrimin e kësaj shoqate dhe sportit të minifutbollit”, lexohet në komunikatën e Shoqatës. /abcnews.al