Vengu inspekton punimet për ndërtimin e Kampusit të Akademisë së FA: Do t’i shërbejë rritjes së profesionalizmit të forcave tona

schedule11:17 - 14 Shtator, 2024

schedule 11:17 - 14 Shtator, 2024

Ministri i Mbrojtjes zPirro Vengu inspektoi punimet për ndërtimin e Kampusit të Akademisë së Forcave të Armatosura (AFA), një nga projektet më të rëndësishme të planifikuara nga Ministria e Mbrojtjes, që bazohet në modelin e akademisë prestigjioze amerikane West Point.

I shoqëruar edhe nga komandanti i AFA gjeneral brigade Bardhyl Nuredinaj, ministri Vengu u njoh me ecurinë e projektit, që është një tjetër investim që i shërben modernizimit të FA.

Sipas ministrit të Mbrojtjes, kontrata parashikon që deri në mars 2025 të përfundojë faza e parë e projektit, që përfshin godinën e re të Fakultetit të Mbrojtjes dhe Sigurisë si dhe mensën për studentët. Deri më tani janë realizuar 50% e punimeve. Ministri Vengu tha se: “… më pas do të vijohet me financimin e fazës së dytë, për të përballuar kapacitetet në rritje, në mënyrë që sezonin e ardhshëm kampusi të jetë në gjendje pune. Synimi është që kjo të jetë një akademi autonome, sipas modelit të West Point”.

Ministri i Mbrojtjes vuri theksin në krijimin e një akademie lider në arsim, që do t’u shërbejë jo vetëm Forcave të Armatosura, por edhe institucioneve të tjera: “Do të zgjerohet gama e programeve që ofron Akademia e Forcave të Armatosura, e cila vitet e fundit edhe në përputhje me planin e objektivave të Forcave të Armatosura ka forcuar programet që kanë të bëjnë me teknologjinë, me të ardhmen e FA, në mënyrë që ne jo vetëm të forcojmë kapacitet tona, por të sigurojmë edhe një mënyrë të qëndrueshme për të formuar profesionalisht të ardhmen e forcave tona”, – u shpreh ministri Vengu.

Nga ana e tij, komandanti i AFA gjeneral brigade Bardhyl Nuredinaj, nënvizoi faktin se kjo akademi do të shërbejë edhe për student nga Kosova, Maqedonia e Veriut, por edhe vende të tjera të rajonit, ndërsa synimi është shkëmbimi i studentëve edhe me akademi të njohura, me të cilat Shqipëria ka bashkëpunime si në Itali, Greqi apo në Turqi.

Këtë vit, sipas gjeneral brigade Bardhyl Nuredinaj, parashikohet hapja e dy programeve të reja në nivelin master, “Inteligjencë artificiale” dhe “Marrëdhënie Ndërkombëtare”.
Kampusi i ri i Akademisë së Forcave të Armatosura po ndërtohet në një sipërfaqe 9,1 hektarë. Në projekt, veç godinave të akademisë janë edhe ndërtimi i godinave akomoduese për studentët, terrenet sportive, kinoklub, qendër shëndetësore, palestër, poligon qitje, etj. Në bashkëpunim me SHBA, në këto mjedise do të jetë edhe Qendra e Simulimit, e cila do të sigurojë trajnimin e forcave në një mjedis të përshtatshëm dhe me kosto më të ulët, krahasuar më stërvitjet në terren./abcnews.al