Venezuelë, qytetarët në mjerim

schedule19:30 - 1 Mars, 2019

schedule 19:30 - 1 Mars, 2019

Teksa presidenti Nikolas Maduro po i reziston përpjekjeve për ta rrëzuar nga pushteti, kriza humanitare në Venezuelë është më e thellë nga sa mendohet. Një hetim i fundit ka treguar se 90 për qind e familjeve nuk sigurojnë dot ushqimin bazë.

Në Venezuelë rreth 89 për qind e familjeve nuk kanë të ardhura të mjaftueshme për të siguruar ushqimin. Të dhënat dramatike vijnë nga një sondazh kombëtar i kryer mbi kushtet e jetës së popullsisë së vendit latin, sipas të cilit paga e venezuelianëve në ekonominë formale është 6 dollarë në muaj. Ndërkohë edhe dieta që njerëzit kanë në dispozicion është tkurrur si në cilësi ashtu edhe në shumëllojshmëri, edhe për shkak të hiperinflacionit. Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara kanë vendosur sanksione të reja ndaj 6 zyrtarëve të lartë venezuelianë të sigurisë, të afërt me presidentin Nikolas Maduro, për bllokimin e hyrjes së ndihmave humanitare. Lajmin e ka bërë të ditur Departamenti amerikan i Thesarit. I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Venezuelën, Eliot Abrams ka përjashtuar ndërkohë ndërhyrjen ushtarake në vendin latin, pavarësisht komenteve të Moskës që sugjeronin ekzistencën e një opsioni të tillë. Një ditë më parë Rusia dhe Kina vendosën veton ndaj një projekt/rezolute që Shtetet e Bashkuara paraqitën në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, për të favorizuar liderin e opozitës Huan Guaido. Për Moskën dhe Pekinin, drejtimi i vendit i takon liderit legjitim të zgjedhur nga populli venezuelian, Nikolas Maduro./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!