Komisioni i Venecias rrëzoi këtë të martë pretendimet e ngritura nga opozita, duke i dhënë të drejtë Kuvendit të Shqipërisë në lidhje me mandatin e deputetes së Partisë Socialiste, Olta Xhaçka. Sipas komisionit, deputetët janë të lirë dhe nuk mund të detyrohen për mënyrën se si duhet të votojnë.
Klotilda Bushka, Kryetare e Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, tha se ‘Venecia’ u shpreh qartë se parlamenti nuk është i detyruar të votojë në një mënyrë të caktuar.
Ajo shtoi se Venecia thekson se vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë të zbatueshme, por jo të diktojnë votimin.
“Komisioni i Venecias është shprehur për 5 pyetjet ditën e sotme. Shpreh konsideratën më të lartë për personalitetet e Venecias, që e lexuan në një kohë rekord këtë çështje të rëndësishme. Ky është një shembull më shumë për të nënvizuar rolin e Venecias në funksion të forcimit të demokracisë dhe parimeve të shtetit të së drejtës. Komisioni i Venecias shprehet qartë se Parlamenti nuk është i detyruar që të votojë në një mënyrë të caktuar, por është vetëm në gjendje të votojë brenda kompetencës së vet. Komisioni konstaton se parimi se deputetët janë të lirë të votojnë sipas bindjeve të tyre është konfirmuar edhe nga GJK. Ky komision shpreh mendimin se dy mendimet e dëna nga GJK për Xhackën nuk duheshin kushtëzuar nga votimi në kuvend. Me fjalë të tjera, vendimet e GJK duhet të jetë të zbatueshme dhe jo të diktojnë votën.”, tha Bushka./abcnews/al