“Vendosni lëndë plasëse në çdo dhomë, mund të vriten edhe…”/ Si klani Çopja planifikoi vrasjen e Erjon Alibej brenda policisë në Elbasan

schedule20:47 - 6 Tetor, 2024

schedule 20:47 - 6 Tetor, 2024

SPAK ka zbardhur gjithashtu edhe planet e klanit Çopja edhe për të eliminuar Erion Alibejn, për të cilin ofroheshin 4 milionë euro. Grupi ishte angazhuar duke planifikuar vrasjen e tij me anë të shpërthimit, duke vendosur eksploziv në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Elbasanit.

Siç rezulton nga komunikimet në SKY, Mikael Kamami, në bashkëpunim me Arzen Memën dhe Martin Musajn, kanë bërë një plan që nëse kapej Erion Elibej, t’i vendosnin një bombë në dhomë. Kamerat që monitoronin pjesën e jashtme të Drejtorisë së Policisë ishin jashtë funksionit, ndërsa plani ishte që dikush të hipte nga mbrapa shkallëve dhe t’i shpjegohej se ku do të vendosej lënda plasëse.

Ata kishin mësuar se po të futeshin nga mbrapa, ku nuk kishte kamera, dilej direkt te dhoma. Më datë 18 shtator 2020, Arzen Mema informon Mikael Kamamin se kishin arrestuar Erion Alibejn dhe se ndodhej në katin e tretë të Drejtorisë së Policisë, i veshur me një bluze të zezë. Ndërsa më vonë e informojnë se tek dera ku po mbahej i ndaluar Alibej, po qëndronin 2 punonjës të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë.

Pjesë nga biseda:

Mikael Kamami: Bisedo me Martinin për ta vendosur tritolin se është gati çdo gjë.

Arzen Mema: Martini nuk po e gjen dot dhomën ku po qëndron Erioni, pasi brenda janë 4 vetë dhe nuk e di nëse janë bashkë apo veç e veç.

Mikael Kamami: A e di dhomën personi që do t’i çojë ushqimin?

Arzen Mema: Martini nuk ka alibi si të shkojë të gjejë dhomën, pasi ushqimin Eionit ia çon një oficer Policie.

Mikael Kamami: Vendosni lëndë plasëse në çdo dhomë, por mund të vriten edhe njerëz të tjerë të pafajshëm.

Mikael Kamami: E gjetët dhomën ku po qëndron?

Arzen Mema: Për momentin nuk kam informacion.