Vendimi që ndryshoi axhendën e protestës së opozitës

schedule23:25 - 8 Qershor, 2019

schedule 23:25 - 8 Qershor, 2019

Ky vendim ndryshoi axhendën e protestës së tetë kombëtare të opozitës. Doli rreth gjysmë ore pas shfuqizimit të dekretit të zgjedhjeve në 30 qershor, por nuk pranoi të reagojë menjëherë.

Drita jeshile që i ndezi Presidenti i Republikës e detyroi kryetarin e Partisë Demokratike që të mos mbante fjalën e dhënë se në këtë protestë nuk do të fliste ai por vetëm populli.

“Presidenti i republikës ka marrë vendimin për anullimin e zgjedhjeve të 30 qershorit, datës së planifikuar nga regjimi kriminalo-autokratik i bandës së Edi Ramës”, tha Basha.

Me brohorima e pritën protestuesit vendimin e presidentit. Por dhe me mjete piroteknike.

Pavarësisht se e shohin si fitore shfuqizimin e zgjedhjeve, beteja vazhdon tha kryedemokrati Basha.

Largimi i kryeministrit Rama nuk negociohet përsëriti Lulzim Basha. Përgjigjet e publikuara nga gazeta gjermane Bild plotësojnë panoramën që opozita prezanton prej kohësh për këtë mazhorancë sipas kreut demokrat.

“BILD faktoi përmes përgjimeve zyrtare autentike të prokurorisë se Edi Rama është një kryeministër ilegjitim dhe qeveria e tij është qeveri ilegjitime”, tha kryedemokrati.

Në shenjë simbolike se fundi i kryeministrit dhe kryebashkiakut të Durrësit është prapa hekurave të rinjtë e forumit rinor demokrat improvizuan një qeli me numrin e njëjtë me atë të dosjes 339.

Shpresën nuk e kanë humbur opozitarët që kjo të ndodhë por edhe kërkesat e tyre të realizohen.

E me dritat ndezur nisën marshimin drejt parlamentit. Përsëri një ndërhyrje e presidentit Meta duket se e detyroi Kryedemokratin Basha të tërheqë protestuesit drejt selisë së Partisë Demokratike. Kryetari i shtetit ndërmjet një mesazhi i bëri thirrje udhëheqësve të opozitës të ndalojnë protestën para parlamentit dhe qytetarët të shpërndahen paqësisht.

Në mesazhin e tij të fundit në protestën e 8 kombëtare, Lulzim Basha nuk njoftoi për takimin e radhës por iu drejtua elektoratit socialist që të bashkohen në zgjidhjen krizës politike që po kalon vendi.

Arrestoni kupolën tuaj, uluni në dialog për zgjidhje politike, pa Ramën kryeministër. Qeveri tranzitore, zgjedhje të lira dhe të ndershme. Të vendosim së bashku standardin evropian të zgjedhjeve. Nuk është vonë për ta shpëtuar Partinë Socialiste nga krimi. Forcë që ta ndalë bashkimin popullor për rrëzimin e organizatës kriminale të rilindjes nuk ka. Zotimi ynë është ta vazhdojmë betejën deri në fitore“./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!