Rikthimi i princit Harry dhe Meghan Markle në Britani pritet të jetë një nga zhvillimet më të bujshme për familjen mbretërore britanike. Sipas BBC-së, vendimi për t’u zhvendosur është marrë së fundmi dhe ka befasuar edhe mbretin Charles, i cili mësohet se është informuar vetëm pak ditë më parë.
Vizita e familjes Sussex në Britani gjatë korrikut duket se ka qenë pika e kthesës. Harry, Meghan dhe fëmijët e tyre, Archie dhe Lilibet, kaluan kohë me mbretin Charles në Highgrove dhe takuan edhe të afërm nga familja e princeshës Diana. Kjo përvojë, sipas burimeve pranë çiftit, i ka bërë ata të dëshirojnë të jenë më pranë familjes dhe rrënjëve britanike.
Çifti nuk pritet të vendoset në Londër, por në një zonë të qetë të fshatit britanik, me Cotswolds ose Northamptonshire ndër alternativat e mundshme. Familja pritet të largohet nga vila e tyre në Kaliforni dhe të rikthehet në Britani për një periudhë të zgjatur, ndërsa për Archie dhe Lilibet thuhet se janë përzgjedhur tashmë shkollat.
Mbretërimi i Charles nuk pritet të shoqërohet me një rikthim të Harry dhe Meghan në detyrat zyrtare. Ata do të vazhdojnë të jenë anëtarë joaktivë të familjes mbretërore dhe aktivitetet e tyre profesionale do të mbeten të pavarura nga monarkia. Meghan ndërkohë po zgjeron markën e saj të lifestyle-it, “As Ever”, edhe jashtë SHBA-së.
Më e ndërlikuar mbetet marrëdhënia me princin William. Sipas BBC-së, mes dy vëllezërve nuk ka ende shenja të qarta pajtimi, ndërsa William mund të shqetësohet se rikthimi i Sussex-ve do të krijojë tensione të reja dhe përshtypjen e një “grupi rival” brenda monarkisë.
Një tjetër pikëpyetje është siguria e familjes. Harry ka pasur prej vitesh një betejë ligjore me autoritetet britanike për mbrojtjen policore gjatë qëndrimeve në vend. Ende nuk dihet nëse ai dhe Meghan do të kërkojnë masa të reja sigurie apo do të mbështeten vetëm te mbrojtja private.
Pavarësisht zhurmës që ka shkaktuar lajmi, rikthimi nuk konsiderohet domosdoshmërisht i përhershëm. Sipas raportimeve, Britania do të jetë shtëpia e tyre “për momentin”, ndërsa e ardhmja e marrëdhënieve me familjen mbretërore dhe veçanërisht me William mbetet e pasigurt.


