Vendimi për Tahirin, reagon ambasada e SHBA: Dënimi është shkurajues

schedule14:57 - 20 Shtator, 2019

schedule 14:57 - 20 Shtator, 2019

Ambasada amerikane e cilësoi shkurajues vendimin e Gjykatës së Krimeve të Rënda për Sajmir Tahirin, edhe pse tha se ishte provë e rritjes së pavarësisë së gjyqësorit. Pikërpyetje për mos dënim për akuzat e forta ngriti dhe ambasada angleze, ndërsa ambasadori i BE-së, në anë tjetër, tha se nuk mund të fliste pa e parë dosjen.

Ambasada amerikane e cilëson dënimin e Sajmir Tahirit me 5 vite burg, e konvertuar vetëm në shërbim prove, një shenjë e pavarësisë së gjykatave.

“Vendimi i djeshëm kundër ish-Ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri demonstron pavarësinë në rritje të gjyqësorit dhe fillimin e fundit të pandëshkueshmërisë për personat me lidhje të forta”.

Megjithëkëtë, ambasada e SHBA-së, e cila është shprehur disa herë gjatë hetimit të ish ministrit me kërkesë për hetim të thelluar, shprehet se dënimi është i lehtë në raport me akuzat.

“Ndërkohë që dënimi i zotit Tahiri për akuzën e shpërdorimit të detyrës sinjalizon një hap të rëndësishëm përpara, dënimi është shkurajues, duke pasur parasysh se sa të rënda ishin akuzat. Ata që shpërdorojnë besimin publik dhe shkelin ligjin duhet të përballen me pasoja domethënëse”.

Ambasadori britanik nënvizoi faktin se gjyqësori dështoi të japë dënim për akuzat serioze.

“Vendimi për Saimir Tahiri tregon se sistemi ligjor i Shqipërisë po maturohet. Por dështimi për tu dënuar për akuzat më serioze, ngre pikëpyetje dhe tregon rëndësinë e çuarjes së reformës në drejtësi deri në fund”.

Ndërkohë, ambasadori Soreca, tha se si ish-prokurori, nuk mund të fliste pa parë dosjen e plotë./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!