Vendimi për Rektorin e UT, Shahini: E zhgënjyer nga Presidenti

schedule16:41 - 7 Maj, 2019

schedule 16:41 - 7 Maj, 2019

Ministrja e Arsimit, Besa Shahini, zgjodhi të reagojë me anë të rrjeteve sociale pasi Presidenti i Republikës, Ilir Meta, rrëzoi kërkesën e saj për shkarkimin e Rektorit Mynyr Koni.

“Jam e zhgënjyer me vendimin e Presidentit të Republikës për të refuzuar shkarkimin e Rektorit Koni”.

Kështu e nis ministrja postimin e saj në Facebook ku thotë se është e pakonceptueshme që institucionet e larta të shtetit të marrin vendime që janë në dëm të interesit publik.

Sipas Shahinit, dekreti i djeshëm i Presidenti dëmton studentët dhe pedagogët e Universitetit të Tiranës. Ministrja shprehet se pas pezullimit të Rektorit u zgjidhën disa çështje të cilat Koni refuzonte t’i adresonte dhe që ishin kthyer në pengesa për funksionimin e fakultetit.

Presidenti i Republikës refuzoi shkarkimin e Rektorit Mynyr Koni të hënën. Ai vlerësoi se në kushtet aktuale, bazuar në propozimin e bërë, marrja e një vendimi për shkarkimin e Rektorit të Universitetit të Tiranës, do të cenonte rëndë dhe, në tërësi, autonominë e institucioneve të arsimit të lartë dhe lirinë akademike të vendosur dhe të mbrojtur nga Kushtetuta, por dhe nga jurisprudenca e Gjykatës Kushtetuese.

Sipas tij, ushtrimi i kompetencave kontrolluese nga Ministri i Arsimit në këtë rast për gjithë sa u parashtrua më sipër nuk është kryer në mënyrë objektive, shteruese, proporcionale dhe transparente./abcnews.al