Nënkryetari i LSI-së, Petrit Vasili në një konferencë për shtyp nga selia e LSI-së komentoi vendimin e më kryeministrit Rama për masat e reja anti covid.
Vasili u shpreh se inteligjenca e kryeministrit Rama arrin nga gjoba deri tek maska.
Deklarata e plotë:
Të nderuar qytetarë dhe qytetare, sot para pak minutash ju sërish u përballët me një kryeministër, i cili kur na ka më se me çfarë të thotë kthehet dhe flet për pandeminë.
Para pak minutash sërish Edi Rama propozoi gjoba të reja dhe maska në vend të zgjidhjes dhe administrimit korrekt të pandemisë, një pandemi e cila ka dal nga duart për shkak se ai fut hundët si i paditur dhe i paaftë që është, së bashku me të gjithë aradhën e paaftëve të tij.
Sot në vend që ti ofronte mijëra testime më shumë shqiptarëve, u ofroi maska, në vend që tu ofronte barna në banesë dhe një paketë mbështetjeje, për qindra qytetarë që trajtohen në banesë dhe paguajnë miliona u ofroi maska, në vend që të ofronte shërbime spitalore gjithmonë e më dinjitoze, gjithmonë e më të pajisura, pa mungesa, pa i detyruar që të shkojnë të çojnë dhe ushqimin në spitale, u ofroi maska, ofroi përsëri të njëjtën idiotësi, mediokritet dhe paaftësi, duke folur për gjoba, duke u kujdesur dhe se ku do paguhet gjoba dhe si do të merret gjoba.
Pra ky sikur është gjobaxhi në politikë, është gjobaxhi dhe në shëndet. Sot praktikisht janë disa pyetje shumë të rënda që kanë lidhje me pandeminë dhe nuk mund të shmangen më dot. Pse nuk testojnë më shumë, vazhdojnë testojnë disa qindra raste në ditë duke mos demonstruar e duke mos reflektuar kurrë të vërtetën e madhe se cila është, një e vërtetë që u hyn në punë shqiptarëve.
I hyn në punë administrimit të pandemisë, i hyn në punë ekonomisë shqiptare që të mos rrënohet. Po si mundet ky që të flasë për maska kur ka deklaruar, po e citoj ndonëse unë e di nivelin e paturpësisë të këtij kryeministri që bën hasha dhe mohon çdo gjë, ka thënë: “E kemi përsëritur vazhdimisht për ata që nuk janë të sëmurë që nuk janë duke trajtuar një të sëmurë apo nuk punojnë në një mjedis me shumë njerëz, maskat janë jo vetëm të padobishme, por dhe të dëmshme sepse ulin vigjilencën tonë në zbatimin e rregullave bazë”.
Cilit Edi Rama t’i besojnë shqiptarët? Këtij që çirret dhe flet sot për maskat që të mbulojë 100 halle të tjera që ka? Që të mbulojë dështimin e jashtëzakonshëm me pandeminë e rikthehet tek maskat e gjobat? Çdo të kthejë, autoblindat? Policinë rrugëve që gjobit të madh e të vogël, të moshuar e të çdo moshe?
Folën sot për vaksinimin për gripin dhe thanë kemi siguruar kaq e aq numër vaksinash. Epidemiologjia nuk pranon të tilla gjëra. Ky është një maskarallëk publik. Epidemiologjia është shumë e qartë në përgjigjet e veta.
A u vaksinua i gjithë personeli mjekësor në Republikën e Shqipërisë që shërben ne spitalet publike dhe private? Pyetja e parë.
Pyetja e dytë. A u vaksinuan të gjithë mësuesit dhe personeli ndihmës në arsimin shqiptar publik dhe privat? A u vaksinuan të gjithë pjesëtarët e forcave të rendit, të ushtrisë e tjerë, të cilët janë në Republikën e Shqipërisë? Cili është sistemi dhe mënyra e vaksinimit të fëmijëve në shkolla, pra e një kontingjenti të tillë. Po meqë morën përsipër këtë gjë, një shtresë shumë e rrezikuar, siç thotë epidemiologjia janë të moshuarit, a janë vaksinuar të moshuarit?
A mund të vaksinohen ata? Po sa shkon shifra e gjithë këtyre vaksinave që duhen? Shkon minimumi 1 milion e gjysmë. Po sa kanë këta? Kemi mbi 200 mijë vaksina. Deri kur do të shkohet me këtë lloj mashtrimi publik? Deri kur do të vazhdojë të kërcënojë shqiptarët me izolime, me maska? Për çfarë? Ky që flet pa maskë në krah të një ministreje që bën sikur mban maskë.
Sot shqiptarët kanë nevojë për mbështetje të drejtpërdrejtë në radhë të parë për mbështetje të personelit mjekësor të tyre. Sot në mënyrë të pacipë u tregua që do t’iu japim ndihmë ekonomike, financiare atyre që punojnë në spitalet me Covid. Po mijëra punonjës të shërbimit ambulator, që janë në kontakt të drejtpërdrejtë ata me pacientët, me të infektuarit me Covid. Janë ata që duhet të japin ndihmën e tyre në banesë. Kush i mbron? Kush i subvencionon?
Këtij shërbimi ambulator i është ofruar që të marrë çarçafët, prijini e bëni maska, e meqë s’ka dezinfektant merrni raki nga shtëpia. Kjo armatë me të cilën fitohet lufta është komplet jashtë dore. Asnjë lek nuk ka për këta si mbështetje financiare. Po si ka mundësi që një pandemi e cila shtrihet në të gjithë territorin, shifrat janë të vërteta, janë aty, është në dorë të Zotit? Po 24 orë, 48 orë, 72 orë përpara deklaruan që situata është e qëndrueshme, është nën kontroll, është një situatë të cilën e kemi vazhdimisht në duar. Papritmas ditën e shtunë në mëngjes, gdhihet i shqetësuar krye epidemiologu Edi Rama e na flet për maska, na kthen prapë gjobat, na kthen prapë dënimet e më the e të thashë. Po pse me një maskë do ta bëjë popullin zap ky? Me këto mashtrime do ta bëjë popullin zap?
Ministrja thotë po përpunojmë protokollet për shërbimin ambulator në banesë. Po ka 8 muaj pandemia. Ç’bëhet në këto 8 muaj me këta mijëra qytetarë, me këta qindra pacientë, shumë prej të cilëve e kalojnë Covidin pa u testuar, pa iu dhënë asnjë ndihmë mjekësore. Qindra miliona lekë që shpenzojnë në mënyrë të përditshme për trajtimin në banesë në kohë pandemie. Është detyrim që e merr shteti përsipër.
Pse nuk thotë Edi Rama ndonjë fjalë që do t’i marrim ne këto përsipër? Kostot e tërë të sëmurëve në banesë i merr qeveria përsipër, e ka detyrim. Jo thotë ai, thotë maskën dhe gjobën. Gjobën dhe maskën. Pra Edi Rama lëviz si kryeministër, inteligjenca e tij lëviz nga gjobat te maska, nga maska te gjobat. Kaq është kryeministri i Shqipërisë, kaq është inteligjenca. Dikur godiste të mos bëjmë testime, të mos përdorim maska, ua lexova që tha të mos përdorim maska, sot thotë ose maska, ose gjoba dhe do t’ua rrëmbejmë gjobën atje ku paguani faturën elektrike.
Nuk presin këtë shqiptarët. Shqiptarët presin trajtim profesional, vënien e parave jo nëpër koncesione, tek ato rrugët ku vidhet e grabitet, me ato incerenatorët që nuk ekzistojnë fare, po para që i gjithë shërbimi ambulator i Republikës të jetë në funksionim. Në vend të 500-600 testeve në ditë të bëjnë minimalisht 2500-3000, është më e pakta, deri në 5000 do duhej në ditë. Të mos krenohen me shifra që të thonë kemi shifrat më të ulëta. Po po, mund të kesh shifra më të ulëta sepse nuk teston, sepse nuk e di sesa të sëmurë janë vërtetë, nuk e di sesa vdesin nga Covid dhe njeri nuk i ekzaminon.
Boll më me mashtrime ndaj shqiptarëve. Boll më e përdorët pandeminë sa herë keni dështimin e radhës, sa herë që halucinacionet atje në asambletë e fëlliqura tuajat përfundojnë në gropë e nxirrni me vrap pandeminë, nxirrni autoblindat, nxirrni gjobat, nxirrni skafandrat në rrugë. Asnjeri nuk trembet. Shqiptarët kanë nevojë për profesionalizëm, kanë nevojë për njerëz profesionistë dhe nuk kanë nevojë për sharlatanë, që nuk kanë asnjë lidhje me mjekësinë dhe bëjnë tamam si adhamudhër apo si xherah popullor.
Koha e këtij xherahllëku ka mbaruar njëherë e përgjithmonë. Por tallja me pandeminë është një tallje që shqiptarët nuk do ta harrojnë kurrë. Asnjë shqiptar nuk mund të shantazhohet me një maske dhe me një gjobë. Ky është fundi i çdo qeverisjeje, ku ajo pacipësisht përdor edhe shëndetin, përdor edhe evente të mëdha shëndetësore, siç është pandemia, vetëm e vetëm për të shtyrë ca sekonda e ca minuta në pushtet. Ju faleminderit të gjithëve!/abcnews.al/