“Vendimi për Belerin, përcaktues”, Kristaq Kume: Çfarë parashikon ligji pas dorëheqjes së Jorgo Goros?

schedule17:38 - 27 Mars, 2024

schedule 17:38 - 27 Mars, 2024

Në një intervistë në “News Line” në ABC News, eksperti Kristaq Kume foli për çështjen e Himarës dhe dorëheqjen e Jorgo Goros nga drejtimi i Bashkisë së Himarës.

Kryebashkiaku në detyrë ka dorëzuar dorëheqjen tek këshilli Bashkiak, ndërsa do të jetë nën hetim për tjetërsim pronash.

Eksperti Kume u shpreh se letra e dorëheqjes së Jorgo Goros është një vendim i drejtë, duke sqaruar se nëse dorëheqja do të pranohet si e tillë, këshilli bashkiak i Himarës duhet të mblidhet dhe të komandojë një nga dy kryetarët aktualë në detyrën e kryetarit.

“E drejta e dorëheqjes është e kujtdo që ushtron një detyrë publike dhe në shoqërinë tonë është një akt që duhet përshëndetur në çdo rast që kryhet si i tillë sepse ne jemi mësuar të ngulemi pas karriges dhe të mos shkulemi më përveçse të na shkulin prej saj. Kështu e shoh veprimin e zotit Goro. Dhe pasojat që ka ky veprim janë të përcaktuara mirë në ligj dhe pas kësaj këshilli Bashkiak do të njoftojë prefektin dhe prefekti do të njoftojë këshillin e Ministrave për këtë dorëheqje. Nëse dorëheqja do të pranohet si e tillë, këshilli bashkiak i Himarës duhet të mblidhet dhe të komandojë një nga dy kryetarët aktualë në detyrën e kryetarit. Dhe ai që do të komandohet do ta ushtrojë këtë detyrë deri sa të zgjidhet problemi i zotit Beleri, pra i kryetarit të Bashkisë me mandat, por pa të drejtë të ushtrimit të mandatit sa kohë që nuk e kanë bërë betimin,. Kjo është procedura që parashikohet në ligjin për vetëqeverisjen vendore”, tha ai.

Gjithashtu shtoi se ligji parashikon këtë rrjedhë të ngjarjeve dhe se nuk ka asnjë rrugë tjetër për të gjetur një zgjidhje tjetër.

“Pra zgjidhja e vetme është ajo që përcakton ligji për vetëqeverisjen vendore. Këshilli Bashkiak duhet të caktojë një nga nënkryetarët për të kryer detyrën e kryetarit të bashkisë që do ta kryejë derisa të ketë marrë fund çështja e zotit Beleri. Vetëm nëse zoti Beleri do të gjendet fajtor me vendim të formës së prerë mbi të fillon të veprojë ligji për dekriminalizimin dhe pas kësaj futet në veprim KQZ që sipas kërkesave të këtij ligji do t’i ndërpresë mandatit dhe do të njoftojë kryeministrin dhe Presidentin e Republikës dhe Presidenti do të shpallë datën për zgjedhjet për kryetarin e bashkisë dhe nëse nuk do të shpallet fajtor në gjykimin në shkallën e dytë, do të shkojë të bëjë betimin dhe do të ushtrojë detyrën e kryetarit të bashkisë derisa përfundon ky mandat, pra këtë pjesë të mbetur të mbetur të mandatit”, tha ai.

/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!