Vendimi në SHBA dhe aborti selektiv ndaj vajzave në Shqipëri

schedule12:40 - 28 Qershor, 2022

schedule 12:40 - 28 Qershor, 2022

Nga Enkel Demi

Vura re një reagim të fortë për çështjen e abortit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Nuk ka rëndësi, në kam të njëjtin qëndrim apo kundër, sepse tek e fundit është diçka që i përket një vendi krejt tjetër, ndryshe të organizuar nga mëmëdheu ynë i vogël sa një lagje e metropolit amerikan, por gjithsesi respektoj gjithkënd që hidhet në zjarrin e rrjetit për lirinë e njeriut.

Të vetmen gjë që do të thoja në këtë diskutim, do kisha pasë dëshirë me e kthy vëmendjen në tokën tonë, pasi nuk e shoh një reagim kaq të ashpër, madje luftarak ndaj abortit selektiv që kryhet rëndom në atdheun tonë të madh.

Me pak fjalë, burrat e “lartë” të Pellazgjisë duan që t’u trashëgohet mbiemri i lavdishëm dhe flamuri i bajrakut, ndaj kur mësojnë se gratë e tyre presin vajza i detyrojnë ato ta heqin, ta vrasin, ta abortojnë foshnjen.

Për pasojë, në pak vjet raporti mashkull-femër është përmbysur. Tani, nesër, në të ardhmen e afërt do të kemi më shumë meshkuj, të cilët do të kryejnë me përpikmëri profesionet e etërve të tyre të “lartë” si shtëpia e barit, vjedhja e votës, skifterizmi, vrasja e kalimtarëve në rrugë me makinë, narkotrafiku, shfrytëzimi i njeriut për qëllime fitimi, vrasja me pagesë, mercenarizmi, korrupsioni…

Natyrisht, jo të gjithë burrat e së ardhmes do të sillen kështu, por nuk ka me qenë çudi pjesa dërrmuese e atyre që erdhën në këtë jetë, sepse më parë baba dhe nëna u vranë motrat.

Ndoshta për këtë plagë të shoqërisë mund të ishte shpenzuar i njëjti zell si për çështjen e Gjykatës së Lartë në Amerikë.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!