“Vendimi i Kushtetueses dëmton edhe Kurtin, ai nuk ka më të drejtë të kandidojë për deputet”

schedule23:40 - 21 Dhjetor, 2020

schedule 23:40 - 21 Dhjetor, 2020

Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) është shprehur se vendimi i Gjykatës Kushtetuese ia bën të pamundur Albin Kurtit, Albulena Haxhiut, Donika Kadaj-Bujupit, Faton Topallit e shumë të tjerëve që ishin dënuar për vepra penale dhe me kusht, të kandidojnë në zgjedhjet e ardhshme.

Në një postim në Facebook, Miftaraj shkruan se ky vendim i Gjykatës Kushtetuese e ka një hile të madhe

” Sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Albin Kurti, Albulena Haxhiu, Donika Kadaj-Bujupi, Faton Topalli e shumë tjerë të dënuar për vepra penale edhe me kusht nuk do të mund të kandidojnë në zgjedhjet që do mbahen në janar apo shkurt të vitit të ardhshëm. Ky vendim i Gjykatës Kushtetuese e ka një hile të madhe.”

Gjykata Themelore në Prishtinë, në janar vitit 2018 shpalli fajtorë katër deputetët e Kuvendit të Kosovës, Albin Kurti, Donika Kadaj-Bujupi, Albulena Haxhiu dhe Faton Topalli, për dy veprat penale, atë të përdorimit të armës apo mjetit të rrezikshëm dhe për pengim i personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare, veprime këto që lidhen me hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës në vitin 2015.

Albin Kurti ishte dënuar me 1 vit e 3 muaj burgim për përdorim të armës apo mjetit të rrezikshëm, kurse për veprën penale të pengimit të personit zyrtar është dënuar me gjashtë muaj burgim. Ndaj tij, është shqiptuar dënimi unik prej 1 vit e gjashtë muaj burgim me kusht.

Donika Kadaj-Bujupi për përdorim të armës apo mjetit të rrezikshëm ishte dënuar me 1 vit e 3 muaj, kurse për pengim të personit zyrtar është dënuar me 6 muaj burgim. Ndaj saj, ishte shqiptuar dënimi unik prej 1 vit e gjashtë muaj burgim me kusht.

Albulena Haxhiu për përdorim të armës apo mjetit të rrezikshëm ishte dënuar me 1 vit e 3 muaj burgim, kurse për pengim të personit zyrtar ishte dënuar me 6 muaj, kurse në fund asaj i ishte shqiptuar dënimi unik prej 1 vit e katër muaj burgim me kusht.

Faton Topalli ishte dënuar me 1 vit burgim për përdorim të armës, për pengim te personit zyrtar 3 muaj burgim, kurse më pas ndaj tij është shqiptuar dënimi unik prej 1 vit e 2 muaj me kusht. /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!