Vendimet e Metës për emërimet në Kushtetuese, Venecia: Të ndryshohet Kushtetuta

schedule19:18 - 29 Maj, 2020

schedule 19:18 - 29 Maj, 2020

Komisioni i Venecias i ka kërkuar klasës politike në Shqipëri dialog ndërinstitucional për të tejkaluar krizën kushtetuese në të cilën ndodhet vendi, krizë që sipas ekspertëve të Venecias mund të tejkalohet vetëm nëse vihen në funksion Gjykata e Lartë dhe Gjykata Kushtetuese.

ABC NEWS ka siguruar draft-opinionin paraprak që Komisioni i Venecias i ka sjellë Kuvendit të Shqipërisë lidhur me përplasjen institucionale që ky organ kishte me Presidentin e Republikës në lidhje me emërimet në Gjykatën Kushtetuese.

Sipas ekspertëve të Venecias, procesi i Vettingut nuk parashikohej të krijonte të tilla vakanca në institucionet e drejtësisë.

Sa i takon betimit të gjyqtarëve përpara Presidentit të Republikës, Venecia i referohet kushtetutës së Shqipërisë kur thotë se ky akt parashikohet të kryhet përpara Presidentit. Ekspertët e Venecias sugjerojnë që në të ardhmen, për shmangien e krizave të tilla mes institucioneve, betimi i anëtarëve të rinj të Kushtetueses të bëhen përpara kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, ndryshim që do të kërkonte një amendim kushtetues.

Por a kishte të drejtë Meta të mos bënte betimin e gjyqtares Arta Vorpsi në Presidencë?

Janë disa modelet që ekspertët e Venecias i referohen në raportin drejtuar Kuvendit të Shqipërisë. Fillimisht kujtojnë precedentin në SHBA ku sipas Gjykatës Supreme Amerikane konsiderohet i emëruar një gjyqtar kur personi që e emëron bën edhe aktin e fundit që është betimi. Ndërkohë që precedenti në Poloni nuk e parashikon betimin e gjyqtarit si aktin e fundit.

Përsa i përket konfliktit te Presidentit me Kuvendin dhe KED, Draft-opinioni shprehet se, në një situate paqartësisë të procedurave për emërimin e kandidatit të dytë të GJK që i takonte Presidentit, ka qenë i ligjshëm dhe i justifikuar pezullimi nga Presidenti i procedurës së emërimit të kandidatit, sikurse pastaj refuzimi  e vendimit të KED për të emëruar automatikisht Arta Vorpsin duke mos i dhënë asaj të drejtën të botohet, dhe emërimi dhe betimi në këtë pozicion i Marsida Xhaferllarit.

Presidenti, me Aktin e tij të 5 nëntorit 2019, kishte pezulluar procedurën e emërimit para skadimit të afatit 30 ditor të përcaktuar me ligj. Ndërsa një pezullim i tillë nuk parashikohet nga ligji, ai ishte reagim ndaj gjendjes së pasigurisë ligjore, që nuk mund të zgjidhej në mungesë të Gjykatës Kushtetuese.

Pezullimi tregoi se Presidenti ende dëshironte të ushtronte fuqinë e tij të emërimit që ai gëzon nën Kushtetutë dhe kjo konfirmohet nga emërimi prej tij i një kandidati menjëherë pas zgjedhjes së kandidatit nga Kuvendi. Në këto rrethana, nuk ekzistonte arsyeja pas ligjit e klauzolës së zgjedhjes automatike të të parit të listës së KED-it nëse Presidenti nuk zgjedh mbas 30 ditësh, dhe duket i justifikuar pranimi i vonuar i kandidatit të dytë nga Presidenti.

Për emërimet në Kushtetuese thuhet se kur listat kanë kandidatë të njëjtë në të njëjtën kohë, Presidenti e Kuvendi duhet të bien dakord për procedurën që ndiqet. Për çështjen e emërimeve në Gjykatën Kushtetuese, kreu i Shtetit Meta po hetohet nga komisioni hetimor parlamentar që po vlerëson kushtetueshmërinë e veprimeve të kreut të shtetit, pas një kërkese të mazhorancës për shkarkim. /abcnews.al/