“Vendim i ç’rregullt, kishte mungesë besueshmërie”, Egbo tema e debatit në Pressing

schedule23:22 - 12 Nëntor, 2020

schedule 23:22 - 12 Nëntor, 2020

Shkarkimi i Emmanuel Egbo nga Tirana është tema e debatit në emisionin “Pressing” në ABC. Flor Riza, Agim Canaj, Eno Skarço dhe Orges Shehi japin mendimin e tyre në lidhje me vendimin e bardhebluve për të larguar trajnerin nigerian.

RIZA – “Në 4 vitet e fundit, Tirana ka zëvendësuar trajnerin në nëntor. Mendoj se trajneri duhet të zëvendësohet në fillim të një sezoni, duhet të jetë përgjegjës për gjithçka ndodh gjatë një sezoni, por është kthyer në traditë te Tirana ndërrimi i trajnerit në nëntor. I uroj suksese Dedes nëse do të zyrtarizohet nesër si trajneri i ri i Tiranës. Vendim i çrregullt ky i këtij rasti nga ana e Tiranës“.

CANAJ – “Në Shqipëri ky është zanati i trajnerit, kemi vite që shoqata e trajnerëve nuk është investuar për t’u organizuar. Shumë trajnerë thonë atë që mendojnë, të tjerët nuk thonë asgjë. Egbo tha që: unë e dija që do më shkarkonin, ka menduar se i është bërë kjo gjë pas shpine. Problemet e tij mund t’i nxjerrë më pas, nëse do të ketë kurajo. Eliminimi nga Kupa është një dështim te Tirana. E dimë mirë kur një ekip të do dhe kur nuk do. Presidenti është ai që vendos dhe raporti me të është më vendimtar. Nuk është çështje rezultatesh, por besueshmërie. Është një vendimmarrje e menjëhershme, ose është menduar më parë dhe në momentin që humbi u gjet momenti”.

SKARÇO – “Dyshoj që Tirana e këtij sezoni është ndërtuar për fitimin e Kupës së Shqipërisë. Nuk mund të quhet dështim për një trajner që i shpalli kampion Tiranën. Partizani nuk e shkarkoi trajnerin vjet kur u eliminua nga Kupa. Ishte i madh skepticizmi në lidhje me Egbo, i cili riktheu titullin pas 11 vitesh te Tirana”.

SHEHI – “Fenomen që nuk ndodh për herë të parë në Shqipëri. Shkarkimi është mungesë rezultatesh apo nuk janë të bindur te Tirana se me Egbo nuk mund t’i marrin rezultatet pozitive përsëri. Eliminimi nga Kupa është dështim, nuk është humbje, por është dështim. Të evitohen vendimet në gjaknxehtësi e sipër. Nëse mendon se me një trajner nuk mund të arrish objektivat, atëherë është më mirë të ndahesh me të. Nuk besoj se lojtarët kanë marrë guximin për të larguar trajnerin. Është mungesë besueshmërie për arritjen e objektivave”. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!