Vendi i parë në Europë pa qese, por sërish jo i pastër!

schedule13:05 - 7 Shkurt, 2022

schedule 13:05 - 7 Shkurt, 2022

Nga Mentor Kikia

Kuvendi i Shqipërisë po nxiton të dërgojë në seancë plenare një projekt-ligj të qeverisë, që ndalon përdorimin dhe prodhimin e qeseve plastike “të rënda” shumëpërdorimshe. Objektivi është shumë i qartë: Shqipëria do të bëhet vendi i parë në Europë që do të heqë nga qarkullimi këto lloj ambalazhi, që bëhet shkak për ndotjen e mjedisit.

E thënë kështu duket një zgjidhje e mrekullueshme për ti dhënë fund nivelit skandaloz të pisllëkut. E them pisllëkut, pasi Shqipëria nuk është vend i ndotur, në kuptimin industrial të fjalës, por është i pistë. Shtretërit e lumenjve janë të mbushur me mbetje, degët e pemëve të veshura me qese e mbetje të tjera që kanë mbetur gjatë transportimit të tyre nga rrjedha e ujit.

Shqipëria, vendi i parë pa qese në Europë!

Ditën e miratimit të ligjit, ky do të jetë titulli i të gjitha lajmeve mbi këtë ngjarje. Nga ana e PR është vërtet një gjetje shumë e mirë. Por a do të shpëtojë Shqipëria nga ndotja? Pasi të na kalojë entuziazmi se të paktën jemi të parët në Europë për një gjë të mirë, do të duhet ta bëjmë fort këtë pyetje.

Për të shkuar tek përgjigja e kësaj pyetjeje, unë do të bëja një “intervistë” me vehten:

-Përse ka mbeturina në lumë?

-Sepse shumë banorë në zonat rurale dhe shumë bashki të vogla i hedhin mbeturinat nëpër përrenj, lumenj, kanale, lëndina… Kur ka reshje, lumi e përroi i rrëmbejnë ato dhe ndodh ajo që ne shikojmë.

-Po përse njerëzit i hedhin mbeturinat në përrua?

-Sepse ne pjesën më të madhe të zonave rurale(fshatra) nuk ka infrastrukturë për mbledhjen e mbetjeve. Por edhe në shumë njësi vendore ku mblidhen, nuk ka vendgrumbullime. Në Shqipëri janë gjithsej 4 landfille zyrtare dhe 208 venddepozitime që nuk plotësojnë kushtet mjedisore, shumica e të cilëve janë buzë lumenjve e përrenjve.

-Po edhe aty ku ka kazanë, sërish vërehet se mbetjet hidhen në mjedise publike?

-Po, edhe kjo ndodh. Sepse ka njerëz të papërgjegjshëm që preferojnë të mos i dërgojnë mbetjet tek kazani, por i hedhin aty ku u vjen më për mbarë.

-Përse nuk gjobiten këta njerëz?

-Të hedhësh mbeturinat në mjedise publike, në Shqipëri nuk është një veprim që ndëshkohet. Kjo ndodh edhe përgjatë rrugëve automobi listike, ku drejtuesit e makinave hedhin mbetje nga dritaret. Edhe këta nuk gjobiten. Kjo ndodh kur njerëzit shkojnë në piknik. Hanë e pinë dhe i lënë në lëndina të gjitha mbetjet që prodhojnë.

Në Shqipëri, nëse parkon makinën në vendin e gabuar, ndëshkohesh me gjobë brenda pak minutash. Nëse mban fëmijën ne vendin e parë po ashtu. Madje edhe nëse hap xhamin dhe qeni që ke brenda nxjerr kokën, sepse rrezikohet jeta e qenit. Por, nëse ti hap xhamin e makinës dhe hedh një qese me mbeturina, nuk gjobitesh.

-Nëse ndalohen qeset plastike, çfarë do të ndodhë?

-Asgjë. E para, do të fillojë rryshfeti, pasi qeset që përdorin markat ndërkombëtarë në qendrat tregtare janë pjesë e promocionit dhe ata do të gjejnë “hapësirën” ti përdorin. Të tjerë do ti fusin kontrabandë, ndërsa në vend do të falimentojë edhe kjo pak industri riciklimi që kemi. Gjithësesi, edhe nëse ndalohen plotësisht, pra ia dalim ta zbatojmë këtë ligj, sërish nëpër lumenj e në bregdet do të ketë mbeturina, pasi ne hedhim në lumë shishet plastike, kanacet, rrobat e vjetra, dyshekun e përdorur, këpucët e grisura, divanin e thyer…

-Dhe si zgjidhet ky problem i madh?

-Nuk është faji i qeseve që janë në lumë, por është faji i atyre që i hedhin. Sepse pas qeseve ne duhet të ndalojmë bidonat e ujit, të pijeve freskuese, të detergjentëve, pastaj edhe kanacet e birrës, edhe shumë ambalazhe të tjera.

Zgjidhja është shumë e “thjeshtë”. Të zbatojmë ligjin që kemi miratuar dy herë e që nuk po e zbatojmë asnjëherë. Menaxhim të mbetjeve, që do të thotë grumbullim në mënyrë të diferencuar dhe riciklim të mbetjeve që mund të riciklohen, dhe groposje të mbetjeve që biodegradueshme.

-Dhe si do t’ia bëjmë një fshati që është 40 km larg qytetit?

-Sërish shumë e thjeshtë. Banorët ndajnë veç mbetjet e riciklueshme(ato plastike dhe ato metalike), të cilat shkon dhe i merr kompania që bën riciklimin, apo kompania e pastrimit që paguan bashkia, njëherë në muaj, ndërsa mbeturinat organike i hedh në një gropë të bëhen pleh. Nuk ka pse të paguajë bashkia para për të transportuar mbeturinat e domateve dhe preshit nga fshati për ti dërguar në landifillin 40 km larg.

-Po nëse banorët nuk e bëjnë?

-E para duhet ta bëjë qeveria, bashkia. Pastaj, nëse banorët nuk e bëjnë; gjobë! Gjobë atij që nuk i ndan mbetjet, gjobë atij që i hedh në përrua, gjobët atij që i hedh nga makina…

-E si mund të gjobisësh tërë këta njerëz?

-Sërish shumë e thjeshtë. Gjobit vetëm njërin në fshat me 200 Euro, dhe të gjithë do e zbatojnë ligjin. Të gjobisim një shofer në autostradë me 200 Euro për hedhjen e një qeseje patatinash, dhe atëherë të gjithë do të bëhen të edukuar. Teknologjia na ofron sot mundësi ti vëzhgojmë ndotësit që nga hapësira. Të bëjmë atë që bëjnë edhe vendet e tjera të Europës. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!