“Vendi i parë meritë e Sylvinhos”, tekniku i Moldavisë: Shqipëria e fortë, por do të t’i përgjigjemi me agresivitet

schedule15:59 - 15 Nëntor, 2023

schedule 15:59 - 15 Nëntor, 2023

Në orën 18:00, të pasdites të së premtes, “legjionarët” e Kombëtares sonë do të përballen në “Zimbru Stadium”, me Moldavinë vendasve, në 1 nga 2 përballjet e fundit të vlefshme për kualifikueset e Kampionatit Evropian të futbollit, Euro 2024, ku mund të thuhet se jemi praktikisht të kualifikuar thjesht mungon zyrtarizimi, teksa gjendemi në vendin e parë në grupin E, me 13 pikë dhe vetëm 1 pikë nga këto 2 ndeshje mjafton për të na kualifikuar.

Mirëpo, ndonëse jemi në krye të grupit, sërish sfida me Moldavinë pritet të jetë jo pak problematike, me teknikun Serghei Clescenco, që premton “luftë”, në fushën e blertë, pasi Moldavia, për herë të parë në historinë e saj ka mundësi konkrete për t’u kualifikuar për në fazën e grupeve të një kompeticioni madhor për përfaqëuseset.

Nga konferenca për shtyp në prag të përballjes me “legjionarët” tanë, tekniku Clescenco theksoi se Shqipëria është surpriza e grupit të tyre dhe sipas tij një meritë të madhe ka trajneri Sylvinho, ndërsa theksoi se qëllimi kryesor i Moldavisë është që në çdo formë të marrë pikët që i duhen në dy ndeshjet e mbetura.

Konferenca për shtyp e teknikut Serghei Clescenco:

Cilat janë synimet tuaja dhe të skuadrës në dy ndeshjet e fundit dhe si planifikoni t’i arrini ato për të siguruar kualifikimin në EURO 2024?

Le ta pranojmë, sa prej nesh menduam se do ta arrinim më lart se vendi i fundit? Objektivisht, kam pasur edhe arsye, sepse duke analizuar skuadrat kundërshtare, kam konstatuar se nuk kemi arritur kurrë, ose pothuajse asnjëherë, fitore ndaj tyre. Dy ndeshjet e fundit me Ishujt Faroe na treguan se nuk ishte e lehtë, njëra ndeshje u mbyll në barazim, tjetrën e fituam me shumë vështirësi. Kështu që po. Të thuash se ishim optimistë do të ishte një gënjeshtër, por djemtë ia dolën. Ata formuan një ekip të bashkuar dhe e kuptuan pse jemi mbledhur. Lojtarët e kuptuan se ata nuk janë në fushë vetëm për veten e tyre, por edhe për vendin e tyre, familjet e tyre dhe miqtë që nuk duan të zhgënjejnë.

Çfarë strategjish përdorni për të motivuar lojtarët që të përballen me presionin e dy ndeshjeve të fundit të eliminatoreve të EURO 2024?

Strategjia jonë mbetet konstante, pavarësisht ndeshjes. Ne mbështetemi në guximin për të përballuar çdo sfidë, agresivitet në sulm dhe besim në aftësitë tona mbrojtëse. Ky është thelbi i filozofisë sonë në ndeshje. Kemi vetëm 2-3 ditë për përgatitje, por fokusohemi që të analizojmë me kujdes çdo kundërshtar, në mënyrë që secili lojtar të kuptojë se kush është përballë në fushë dhe të përshtatet sipas pikave të forta.

Çfarë prisni të sjellë Shqipëria në këtë ndeshje dhe si po përgatiteni për të kundërshtuar taktikat dhe strategjinë e tyre?

Shqipëria, nga rreziku për të mbetur jashtë u bë favorite e grupit tonë. Është një surprizë, por kjo është merita e trajnerit të tyre, i cili pas vetes ka një përvojë shumë të mirë. Një nga pikat e forta të tyre, njësoj si ne është kohezioni i ekipit të tyre kombëtar. Kam vënë re se ata kanë mbajtur një formacion të qëndrueshëm në ndeshjet e fundit me vetëm një ose dy ndryshime. Ata janë një ekip jugor, që do të thotë se janë mësuar të luajnë dhe ta mbajnë topin. Ata janë teknikë dhe të shpejtë. /i.m /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!