“Vendi i duhur në Europë, blogeri gjerman: Vizitoni Shqipërinë

schedule21:59 - 8 Maj, 2024

schedule 21:59 - 8 Maj, 2024

Transporti i gjelbër dhe transformimi i piramidës kanë tërhequr vëmendjen e gazetarit dhe blogerit të njohur gjerman Leo Fellinger, i cili ka vizituar kryeqytetin shqiptar së fundmi.

Në artikullin e tij, ai veçon mes të tjerash ndryshimin e Tiranës, ndërsa thekson përzierjen e trashëgimisë osmane, atë komuniste dhe modernen e viteve të fundit.

“Rrugën nga Salzburgu në Vjenë për në aeroport e kam bërë me tren elektrik dhe këtu në Tiranë kam përdorur vetëm taksi elektrike.  Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, nisi nismën për shkak se në kryeqytetin shqiptar kishte mbi 800 taksi të licencuara, të gjitha prodhonin 3200 ton karbon në vit. Në një përpjekje të madhe, 60% e flotës u këmbye me automjete elektrike në rrugë. Kjo nuk është e gjitha, edhe transporti urban pritet të ndryshojë, me një flotë autobusësh elektrikë së shpejti në rrugët e kryeqytetit, gjë që do të sjellë gjithashtu një ulje të ndjeshme të ndotjes së mjedisit”, shprehet blogeri, Leo Fellinger.

Gazetari gjerman thekson se Piramida është shembulli se si një godinë e ndërtuar për nder të diktatorit Enver Hoxha tashmë është transformuar dhe shërben si qendër e teknologjisë së informacionit.

“Piramida e Tiranës ishte ndërtuar për të nderuar një diktator, një ekstravagancë e pasur në një vend që raciononte bukën, ku njerëzit mezi ushqeheshin.  Ndërsa, sot piramida është një qendër IT rinore për teknologjitë me fokus programimin kompjuterik, robotikën dhe start-up-et”, shton Fellinger.

Në vizitën e tij në Tiranë, ajo që i tërheq vëmendjen Leo Fellinger është edhe arti i rrugës dhe muralet, që gjenden kudo në kryeqytet.

Ai shkruan se arti urban ka shpërthyer vitet e fundit falë disa artistëve vendas dhe një festivali që ka arritur të sjellë edhe artistë të njohur ndërkombëtarisht në Shqipëri.

Kulinaria është një tjetër arsye që sjell vizitorët e huaj në vendin tonë. Gazetari gjerman përmend bujtinat, biznese që kanë lulëzuar vitet e fundit.

Gjatë vizitës së tij të parë në Shqipëri, blogeri gjerman tregon përshtypjet pozitive për shqiptarët, të cilët i përshkruan mjaft miqësorë, ndërsa në turin e tij ka vizituar edhe veriun e vendit.

“Midis lumenjve Drin, Buna, Kir dhe liqenit të Shkodrës, është një nga qytetet më të vjetra të Shqipërisë, Shkodra. Jemi 120 km nga Tirana dhe shumë afër kufirit me Malin e Zi. Ky qytet është gjithashtu qendra e katolicizmit në vend dhe banorët e qytetit të vjetër i demonstrojnë në mënyrë mbresëlënëse pjesës tjetër të botës çdo ditë se është e mundur bashkëjetesa paqësore midis feve të ndryshme”, thotë blogeri gjerman.

Në fund të artikullit, gazetari sugjeron bashkëkombësit e tij se nëse duan të provojnë diçka ndryshe në Europë, Shqipëria është vend i duhur.

/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!