Vendet e Ballkanit Perëndimor bien dakord për heqjen e vizave, të gjitha marrëveshjet e arritura

schedule19:42 - 21 Tetor, 2022

schedule 19:42 - 21 Tetor, 2022

Ministrat e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor pajtohen për udhëtimin pa viza midis tyre dhe për njohjen e ndërsjellë të diplomave universitare dhe kualifikimeve profesionale, duke hedhur një hap drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Kjo u bë e ditur nga ministrja gjermane e Punëve të Jashtme, Annalina Berbok Baerbock, gjatë takimit të ministrave të jashtëm të vendeve të përfshira në Procesin e Berlinit, e cila theksoi se këta janë hapa historikë, që ndryshojnë jetën e njerëzve.

“Kjo do të thotë që studentët nga Shqipëria mund të përdorin diplomën e tyre për të vazhduar studimet në Maqedoninë e Veriut dhe se një arkitekt nga Serbia mund të shkojë dhe të punojë në Mal të Zi. Fundja kjo është gjithçka me të cilën ka të bëjë tregu i brendshëm evropian”, tha zonja Baerbock.

Në takim u tha se përfitimin më të madh nga kjo marrëveshje do ta kenë qytetarët nga Kosova dhe Bosnja e Hercegovina, të cilët nuk mund të udhëtojnë pa viza.

Dokumenti përfundimtar pritet të nënshkruhet me 3 nëntori në Berlin, ku pritet të mbahet takimi i udhëheqësve të Ballkanit Perëndimor dhe të dhjetë vendeve të tjera pjesëmarrëse të Procesit të Berlinit, si dhe përfaqësuesve të Këshillit dhe Komisionit Evropian.

“Duke nënshkruar të marrëveshjet në takimin e ardhshëm në nëntor, ju po bëni një hap të rëndësishëm përpara në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Ju po e bëni jetën e qytetarëve tuaj më të lehtë dhe po ndihmoni kompanitë tuaja të nxisin tregtinë dhe rritjen ekonomike në të gjithë rajonin”, tha ajo.

Udhëheqësit e Kosovës kanë theksuar se procesi i Berlinit është një nismë gjithëpërfshirëse ku të gjitha shtetet janë të barabarta dhe kanë kundërshtuar cdo nismë që sipas tyre mund të shfaqet si alternative ndaj këtij procesi, përfshirë nismën Ballkani i Hapur që u hodh nga Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut.

Shtetet e Bashkuara e mbështesin nismën për Ballkanin e Hapur dhe i kanë bërë thirrje Kosovës të bëhet pjesë e saj, por i dërguari për Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobar ka theksuar se ajo është një nismë ekonomike që mund të ketë sukses vetëm nëse do të përfshijë të gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor si të barabarta.

Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla tha të premten në Berlin se “nga Procesi i Berlinit, padyshim që presim një bashkëpunim të thelluar në rajonin tonë. Ne gjithashtu presim që Procesi i Berlinit të marrë një vrull dhe dëshirojmë t’i shprehim mirënjohjen tonë qeverisë gjermane për rifillimin e procesit. Integrimi i rajonit në BE dhe integrimi evropian-atlantik është shumë i rëndësishëm”, tha ajo.

Procesi i Berlinit i cili u ringjall nga kancelari gjerman Olaf Scholz, u hodh në vitin 2014 nga ish kancelaria gjermane Angela Merkel me synim thellimin e bashkërendimit ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor si dhe mbështetjen e procesit të anëtarësimit të këtij rajoni në Bashkimin Evropian.

Durimi i disa vendeve të Ballkanit Perëndimor që janë në pritje të anëtarësimit po mbaron dhe kritikët e ritmit të ngadaltë të zgjerimit të bllokut thonë se kjo u lë hapësirë Rusisë dhe Kinës për të zgjeruar ndikimin e tyre në rajon.

Ministrja e jashtme gjermane tha është përparësi e qeverisë së saj që të përfshijë vendet e Ballkanit Perëndimor në bllok për të siguruar qëndrueshmëri dhe përparim ekonomik, ndërsa bëri thirrje për përshpejtimin e reformave në vendet e rajonit.

Ministrja Baerbock, shprehu dëshirën e saj për normalizimin e “situatës së pazgjidhur” mes Kosovës dhe Serbisë, e cila tha ajo është “shkak i vazhdueshëm i tensioneve”.

Shefja e diplomacisë gjermane i bëri thirrje Serbisë “që të rrisë harmonizimin me politikën e përbashkët dhe të sigurisë të BE-së. Kjo ka të bëjë me sanksionet kundër Rusisë në veçanti; dhe ne presim hapa konkretë të Serbisë për të harmonizuar politikën e saj të vizave. Kontrabanda e njerëzve kërcënon jetën dhe sigurinë e njerëzve dhe marrjen e masave kundër është një qëllim që na bashkon të gjithëve”, tha ajo./VOA

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!