Vëllai i kryeministrit Edi Rama, është shumë pranë një posti drejtues tek Partizani. Olsi Rama, ish-basketbollist i Dinamos, ka nisur kursin për drejtor teknik në Federatën Shqiptare të Futbollit.
Prej kohësh e ka ndjekur nga afër skuadrën, por ka mohuar përfshirjen.
Ja si fliste Olsi Rama, vëllai i kryeministrit shqiptar, për ABC News-in pas një derbi të Partizanit ndaj Tiranës.
“Une kam qef kur mbushet stadium, të vijnë njerëzit në stadium e të shohin ndeshje të mira, kjo është kryesorja, të tjerat pastaj…”
Gjithçka duket se ka ndryshuar dhe Olsi Rama tani pritet të jetë edhe drejtues i Partizanit.
Zërat që përfliten këto ditë sikur u konfirmuan nga prania e tij në kursin për drejtor sportiv në Federatën Shqiptare të Futbollit.
Kursi, do të vazhdojë për rreth dy javë deri në 16 dhjetor në Qendrën e Ekipeve Kombëtare në Kamzë, ku do të drejtohet nga shefi i sektorit në Federatë, Astrit Maçi, ndërsa prania e Olsi Ramës krijon shumë interes.
Presidenti i Partizanit, Gazmend Demi, duket se do t’i ofrojë një post drejtues në klubin e tij, ndërsa nuk dihet se në çfarë pozitash do të jetë Rama te kryeqytetasit.
Do të jetë thjesht një drejtues apo edhe aksioner?
Kjo pritet të mësohet më vonë, ndërsa për momentin mund të thuhet se ai thjesht po rikthehet tek sporti, pasi në rininë e tij ka qenë basketbollist i Dinamos, ashtu si edhe kryeministri Edi Rama.
Vetë Partizani nuk e konfirmon zyrtarisht që Olsi Rama do të ketë një post drejtues, por as nuk e hedh poshtë.
Duket se bashkë me rikthimin në stol të trajnerit Sulejman Starova dhe largimin e ish-trajnerit Iuliano tek të kuqtë, ka nisur një periudhë ndryshimesh edhe në drejtim.