Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu nga Vlora u ka kërkuar drejtuesve të policisë që të mos stepen për të bërë punën e tyre.
Gjatë bisedës ai i ka inkurajuar shërbimet policore të veprojnë në terren me zero tolerancë, jo vetëm për zhurmat, muzikën dhe respektimin e orarit të muzikës, orës policore dhe mbylljes së lokaleve, por ndaj çdo paligjshmërie e çfarëdolloj përmase qoftë ajo.
“Nuk është e vështirë as mbyllja e muzikës dhe as e lokaleve, në rast se ju veproni me zero tolerancë. Mos u stepni nga asnjë telefonatë, zbatoni ligjin me një standard, duke i trajtuar në mënyrë të barabartë të gjithë pronarët e lokaleve.
Kontrolloni në mënyrë permanente territorin dhe shërbejuni me përkushtim dhe etikë qytetarëve. Ndihmoni pushuesit sa herë që kanë nevojë për ndihmën policore duke reaguar në kohë dhe do të keni gjithë mbështetjen e drejtuesve tuaj, por edhe timen” theksoi ai.
Më pas, Veliu ka inspektuar lokalet përgjatë ‘Lungomares” ku pak ditë më parë pati disa protesta, por tani sipas njoftimit të policisë së shtetit është konstatuar respektim i orarit të ndalimit të muzikës në orën 23:00 dhe i mbylljes së lokaleve në 24:00./ Abcnews.al