Nga selia e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj uroi të gjithë besimtarët gëzuar festën e Kurban Bajramit. Duke marrë shembullin e komuniteteve fetare në Shqipëri, ai bëri thirrje të lemë menjëanë zilinë dhe baltën ndaj njëri-tjetrit, teksa theksoi se vetëm me bashkëpunim dhe mirëkuptim mund të bëjmë gjëra të mrekullueshme.
“Në dallim nga kohët e lashta kur Ibrahimit i kërkohej të bënte djalin kurban, sot na kërkohet të bëjmë kurban thashethemet, zilitë, xhelozitë, përfoljen, baltën, cinizmin, egoizmin. Fryma që duhet të kemi si shoqëri duhet të jetë si ajo që kemi mes besimeve. Sa më të dashur të jemi, sa më shumë të bëjmë kurban këto vese dhe këto cic-mice mes nesh, aq më shumë ecim përpara. Ne kemi treguar se kur ne bashkëpunojmë mund të bëjmë gjëra të mrekullueshme”, tha Veliaj.
Ai pati një falenderim edhe për efektivët e policisë dhe mjekët, të cilët janë në krye të detyrës, edhe në ditë festash. “Dua të falenderoj të gjithë ata që na shërbyen deri vonë mbrëmë, policët e Policisë së Shtetit, Policisë Rrugore, Policisë Bashkiake, mjekët. Sot është ditë pushimi, nesër do jetë prapë ditë pushimi, por jo për të gjithë. Për disa njerëz, sidomos për ata që janë me uniformë, festat e mëdha, organizimet e mëdha, kërkojnë më shumë impenjime, më shumë orë jashtë pune, më shumë largim nga familja. Një mirënjohje për të gjithë ata që i shërbejnë komunitetit tonë edhe në ditë festash, edhe në ditë gëzimesh”, u shpreh kryebashkiaku./abcnews.al