Veliaj: Tirana po kthehet në destinacion të turizmit mjekësor

schedule12:29 - 12 Maj, 2018

schedule 12:29 - 12 Maj, 2018

Qyteti i Tiranës, me ndryshimet që po pëson dita-ditës dhe mundësive të shumta për argëtim, po kthehet gjithnjë e më shumë në një destinacion turistik për qytetarë nga vende fqinje, sidomos italianë. Ka nga ata që udhëtojnë në fundjavë drejt Tiranës, për të vizituar kryeqytetin shqiptar, por edhe për të kryer disa shërbime mjekësore, çka është një mundësi e mirë edhe për ekonominë e qytetit.

Një grup turistësh italianë që vijnë shpesh në Tiranë, së bashku me kryebashkiakun Erion Veliaj, mbollën edhe disa pemë për gjelbërimin e qytetit. Veliaj i falenderoi turistët jo vetëm për kontributin që japin në ekonominë e qytetit, por edhe për mbështetjen në mbjelljen e pemëve. “Jam shumë entuziast për gjithë miqtë që na kanë ardhur, kryesisht turistë italianë, që vijnë këtu për një kujdes shumë të specializuar mjekësor, për turizëm, e sigurisht edhe për të lënë diçka mbrapa në qytet. Ndaj, u jam shumë mirënjohës për të gjitha pemët e dhuruara”, u shpreh ai.

Kryebashkiaku vlerësoi faktin që turistët e huaj zgjedhin Tiranën për të kryer kontrollet e tyre mjekësore, duke krijuar kështu një lloj të veçantë turizmi, si ai mjekësor. Veliaj theksoi se ky turizëm sjell në qytet njerëz që qëndrojnë disa ditë, të cilat i japin ekonomisë më shumë të ardhura që vijnë nga hoteleria, udhëtimet, vizitat dhe restorantet. “Një qytet që është mendje-hapur, që është zemërhapur, që i mban dyert e hapura, ku njerëzit flasin gjuhë të huaja, ku kultura e shërbimit është dinjitoze, është qytet i së ardhmes. Ne kemi nevojë për njerëz që kalojnë kohë në Tiranë, jo vetëm për ata që bëjnë një xhiro në sheshin “Skënderbej” dhe pastaj largohen. Kemi ende shumë për të bërë si bashki, edhe me sipërmarrjet fantastike që po sjellin një lloj të ri turizmi në vendin tonë, që është turizmi mjekësor”, tha kryetari i Bashkisë së Tiranës.

Drejtuesi i klinikës “Viaggiare&Sorridere”, Dritan Gremi u shpreh se numri i qytetarëve të huaj që vizitojnë Tiranën për të marrë shërbime mjekësore po shtohet dita-ditës, duke dhënë një kontribut për zhvillimin e qytetit. “Kemi diku te 100-110 pacientë çdo muaj dhe numri vjen në rritje. Ata flenë në Tiranë, paguajnë një kafe këtu, drekojnë e darkojnë në restorantet e Tiranës, dhe çdokush shpenzon mesatarisht 60-65 euro në ditë. Llogaritë i bëjmë vetë sa ndikojnë në ekonominë e qytetit”, tha Gremi.

Turistët italianë vlerësuan transformimin që po pëson çdo ditë Tirana, duke theksuar se dallimi me disa vite më parë është shumë i madh. Ata u shprehën se shohin një Tiranë ndryshe, më të pastër dhe të përmirësuar nga infrastruktura. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!