Rikonstruksioni i godinës së shkollës “Dëshmorët e Lirisë” në kryeqytet bën të mundur që palestra e saj të shërbejë për të gjithë të rinjtë për t’u marrë me sport. Në fjalën e mbajtur në ambientet e reja të shkollës kryebashkiaku Erion Veliaj u bëri sërish thirrje të rinjve dhe banorëve të vendosin flamurin kombëtar në ballkonet e tyre me rastin e festave të Nëntorit.
Rikontruksioni i shkollës “Dëshmorët e Lirisë” nga Bashkia e Tiranës tashmë u ofron mundësinë nxënësve dhe të rinjve të njësisë 5 të merren më shumë me aktivitete fizike dhe sportive. Kryebashkiaku Veliaj i shoqëruar nga ministri i Diasporës, Majko theksoi se palestra e re bën që të rinjtë të merren me sporte.
“Kjo është 1 nga 62 shkollat, e cila qëndron e hapur edhe pas mësimit, ku po të njëjtët nxënës apo edhe nxënës të tjerë nga komuniteti kanë mundësi të përdorin terrenet sportive. Palestrën këtu e përdorim kryesisht për volejboll, basketboll, taekëondo. Disa nga klasat do t’i përdorim për kurse shahu, ndërsa pjesa e fushës jashtë për kalçeto ose futboll”, tha Veliaj.
Veliaj ftoi të rinjtë të bëhen pjesë e dy nismave të Bashkisë së Tiranës, duke vendosur nga një flamur në ballkonin e shtëpisë me rastin e festave të Nëntorit apo duke mbjellë edhe pemë.
“Së pari, dua që për festat e Nëntorit secili në ballkonin ose në dritaren e tij të nxjerrë një flamur për të festuar festat. Imagjinoni nëse e bëjmë këtë në të gjitha njësitë e Tiranës, atëherë përveç bashkisë, i gjithë qyteti do të jetë i dekoruar shumë bukur me flamujt kuq e zi. Së dyti, dua që secili prej jush përpara se të mbarojë dimri, të mbjellë një pemë”, u shpreh kryebashkiaku i Tiranës.
Prej disa ditësh në kryeqytet një pjesë e mirë e banorëve kanë nisur të vendosin në ballkonet dhe shtëpitë e tyre flamurin kombëtar me rastin e 28-29 Nëntorit./abcnews.al